TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Maj 2026, 22:31

Nga video-skandali te informacionet e SPAK, pse u transferuan Lul Berisha dhe Durim Bami në burgun e Peqinit?

Shkruar nga Pamfleti
Nga video-skandali te informacionet e SPAK, pse u transferuan Lul Berisha dhe
Durim Bami- Lulzim Berisha

SPAK, ka argumentuar se mbajtja e Durim Bamit në burgun e Fushë-Krujës, përbën rrezik potencial për një arratisje të mundshme.

Një informacion konfidencial i prokurorisë së Posaçme SPAK, i përcjellë Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, ka sjellë transferimin në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin, të Durim Bamit dhe Lulzim Berishës.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se relacioni informativ është kryer disa ditë pasi në media u publikua një video ku të dënuar dhe të paraburgosur bënin festë me telefona dhe muzikë në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Mes këtyre të dënuarve ishte dhe Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit, ndaj të cilit SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për vrasjen e Klodian Saliut.

SPAK, informonte Burgjet se prania e Lulzim Berishës në paraburgimin e Durrësit cenonte sigurinë dhe rendin, duke ngritur dyshime të forta për një përsëritje të mundshme të skenave të arratisjes, siç ndodhi me Altin Ndocin.

Për më tepër, sipas SPAK, Lulzim Berisha përmes telefonit mbante lidhje në kohë reale me persona jashtë burgut.

Ndaj nisur nga këto të dhëna, SPAK, i ka rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që i paraburgosuri Lulzim Berisha, të transferohet në një burg të sigurisë së lartë që ishte në proporcion dhe me akuzat e rënda për të cilat ai është hetuar dhe po gjykohet aktualisht.

Mësohet se pas publikimit të videos në media, oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, kanë marrë në pyetje Lulzim Berishën dhe disa prej personave që ndodheshin në atë dhomë, duke referuar materialin hetimor në prokurorinë e Durrësit, për akuzën e “Futjes dhe mbajtjes së sendeve të ndaluara” në ambientet e IEVP Durrës.

Thuajse e njëjta situatë është pasqyruar në relacionin informues dhe për të paraburgosurin, Durim Bami, i cili vetëm pak ditë pasi u transferua nga burgu nr.313 në Tiranë drejt burgut të Fushë-Krujës, është lëvizur sërish duke u transferuar në burgun e Fierit.

SPAK, ka argumentuar se mbajtja e Durim Bamit në burgun e Fushë-Krujës, përbën rrezik potencial për një arratisje të mundshme. Duke qenë se ky burg është në rikonstruksion e sipër, mund të sillte kushtet e nevojshme për të vënë në zbatim planin e arratisjes së Durim Bamit nga qelia.

Nisur nga kjo situatë, është rekomanduar transferimi i Durim Bamit dhe Lulzim Berishës, në burgun e sigurisë së lartë në Peqin./ Syri Tv

durim bami burgjet lulzim berisha transferim

Lini një Përgjigje