TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Janar 2026, 15:25

Nga goditja e policit, te të shtënat dhe “Audi” që e priste jashtë; detajet e plota si arriti Altin Ndoci të arratisej

Shkruar nga Pamfleti
Nga goditja e policit, te të shtënat dhe “Audi” që e
Altin Ndoci dhe polici që e kërkon

Hetuesit dyshojnë se arratisja është organizuar me kujdes. Paraprakisht është identifikuar një automjet tip “Audi A7”, që dyshohet se e ka pritur në parkingun e spitalit...

Altin Ndoci, një nga të arrestuarit më të rëndësishëm në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, është zhdukur në mes të ditës nga Spitali Rajonal i Durrësit.

Ngjarja ndodhi të martën rreth mesditës, vetëm pak metra larg Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit.

Sipas të dhënave zyrtare dhe hetimeve paraprake, Altin Ndoci është dërguar në spital për vizita mjekësore, i shoqëruar nga pesë efektivë të Policisë së Burgjeve. Pasi është futur në repartin e infektivit, një zonë që supozohet të ketë masa të forta sigurie, ai ka kërkuar të përdorë tualetin.

Në momentin që del, ai godet me grusht një prej efektivëve dhe më pas arratiset me vrap nëpër shkallët e katit të tretë. Një polic tentoi ta ndalojë me armë duke qëlluar në ajër, por Ndoci ia doli të largohej pa gjurmë. Pamjet e sigurisë brenda spitalit pritet të jenë thelbësore për hetimin.

Një arratisje e planifikuar, me ndihmë nga jashtë

Hetuesit dyshojnë se arratisja është organizuar me kujdes. Paraprakisht është identifikuar një automjet tip “Audi A7”, i bardhë me targa AA700RS, që dyshohet se e ka pritur në parkingun e spitalit. Pas arratisjes, Ndoci është futur në makinë dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të zonës së Spitallës, në periferi të qytetit.

Burime nga grupi hetimor thonë se ekziston dyshimi i arsyeshëm se persona të tjerë janë përfshirë në këtë skemë. Policia ka ngritur postblloqe dhe po verifikon kamerat e të gjitha bizneseve dhe ndërtesave pranë spitalit. AMP ndërkohë ka nisur një hetim të brendshëm për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me neglizhencë apo bashkëpunim të qëllimshëm të strukturave të burgjeve.

Kush është Altin Ndoci? Një emër kyç në dosjet e SPAK

Ndoci është një emër i njohur për hetuesit e SPAK. Ai është ndaluar që në vitin 2020 dhe ka qenë i përfshirë në disa nga akuzat më të rënda të grupit të Dumanit. Fillimisht, ndaj tij u ngritën akuza për përfshirje në vrasjen e katër personave, por gjykata e shpalli të pafajshëm për një pjesë të tyre, pasi dëshmia e Klevis Allës u konsiderua e rreme. Alla humbi statusin si bashkëpunëtor i drejtësisë, ndërsa Ndoci nuk u lirua, për shkak të akuzave të tjera që vijojnë të rëndojnë mbi të.

Në dosjen aktuale, ai akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, vrasje me paramendim, plagosje, dhe armëmbajtje pa leje. Ndaj tij dëshmoi edhe i penduari tjetër, Nuredin Dumani, i cili e përfshiu në atentatin ndaj Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit. Emri i tij del gjithashtu në dëshmitë e Erion Alibejt, i cili tha se vetë Dumani kishte në plan ta eliminonte Ndocin si rival potencial.

Reagimi zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve: Ndërhyrja dështoi

Në një deklaratë për mediat, Drejtoria e Burgjeve tha se strukturat janë vënë menjëherë në ndjekje”. Sipas deklaratës, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë së Burgjeve, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga ambientet e spitalit.

I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratë. /Pamfleti



1 Komente

  1. P
    Polici vlonjat

    Me dhjarët që keni afruar dhe grada të pa merituara do ketë gjithmon ngjarje të tilla

    Lini një Përgjigje