Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” u arratis mesditën e së martës nga spitali i Durrësit, atje ku kishte shkuar për të kryer disa vizita.
Nga informacionet paraprake mësohet se Ndoci ka goditur një efektiv të policisë, që ndodhej tek dera e dhomës ku qëndronte i paraburgosuri dhe më pas nga kati i 3-të i spitalit është larguar me shpejtësi.
Dyshimet janë se veprimet e Ndocit nuk kanë qenë sporadike, ndërsa grupi hetimor po heton lidhur me ngjarjen. Ndoci ka mundur të humbasë gjurmët brenda pak minutash, ndërsa ka dyshime se ai është ndihmuar nga persona të jashtëm, që ndoshta i kanë siguruar largimin nga zona.
Spitali i Durrësit është shumë pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut, ndërsa e gjithë zona është e monitoruar me kamera. Pritet që kamerat të hedhin më shumë dritë mbi dinamikën e ngjarjes, ndërkohë që edhe AMP është angazhuar për të hetuar nëse janë zbatuar ose jo masat e sigurisë.
Lini një Përgjigje