Altin Ndoci u arrestua në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”, fillimisht i akuzuar për 4 vrasje, akuzë që u rrëzua, por u mbajt në paraburgim referuar dëshmive të Nuredin Dumanit që e implikonte në ngjarje të tjera kriminale...
Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK-ut, ka arritur të arratiset nga spitali infektiv i Durrësit, ku po kurohej.
Ende nuk dihet si ka arritur Ndoci të arratiset, teksa konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë.
Pritet që kamerat e sigurisë të hedhin dritë mbi mënyrën se si ka arritur të arratiset Ndoci, i cili prej 2020 ndodhej i arrestuar.
Ende nuk ka një deklaratë zyrtare të institucioneve lidhur me arratisjen e Altin Ndocit, ndërsa kanë nisur kërkimet për kapjen e tij.
Dyshimet e para janë se Ndoci ka pasur ndihmë nga jashtë për të realizuar arratisjen, edhe pse gjithçka mbetet në kuadrin e dyshimeve.
Altin Ndoci u arrestua në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”. Pavarësisht se ka marrë pafajësinë për disa nga akuzat që rëndonin mbi të për vrasjen e 4 personave, ai nuk u lirua nga qelia, pasi të tjera akuza u ngritën.
Ndoci fitoi pafajësinë lidhur me akuzat që ishin ngritur si pasojë e dëshmive të Klevis Allës, por më pas rezultoi se ai kishte gënjyer, duke humbur edhe statusin e bashkëpunëtorit.
Ndoci mbahet në paraburgim bazuar në dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Në një dosje tjetër Altin Ndoci, akuzohet nga SPAK dhe Nuredin Dumani si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Gjithashtu Ndoci, akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit).
Emri i Altin Ndocit del edhe në dëshminë e të penduarit Erion Alibej. Sipas këtij të fundit, Ndoci ishte objektiv për tu vrarë nga Nuredin Dumani.
Më 27 Prill 2020, u ekzekutuan brenda makinës vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia.
I penduari i drejtësisë Erion Alibej, ka rrëfyer në një prej seancave gjyqësore në GJKKO, se krimi u krye nga Nuredin Dumani.
Sipas dëshmive të tij në gjyq, Erion Alibej ka thënë se shënjestër për t’u vrarë ka qenë Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia, jo Viktor Haxhia.
Sipas tij, Altin Ndoci ishte në makinë me dy vëllezërit Haxhia por kishte zbritur pak minuta para atentatit.
Vrasësit, duke menduar që në makinë ishte Besmir Haxhia me Altin Ndocin, duke e ngatërruar këtë të fundit me Viktor Haxhinë.
Edhe pas atentatit, tregon Alibej në gjykatë, tentuan sërish të vrisnin Altin Ndocin në varrimin e vëllezërve Haxhia, por ky i fundit nuk shkoi.
Për vrasje e vëllezërvë Haxhia, Klevis Alla është dënuar me 25 vite burgim, Besmir Xhixha me 6 vite dhe Enver Diva me 5 vite.
Altin Ndoci, që ishte akuzuar për këtë ngjarje, mori pafajësia. Dhe siç rezulton nga dëshmitë e tanishme të Erion Alibejt, Ndoci ka qenë shënjestër për t’u vrarë bashkë me Besmir Haxhinë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje