TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Janar 2026, 12:10

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj dy të pandehurve (Emrat)

Shkruar nga Pamfleti
Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj dy
Pamje nga atentati (majtas); ish-Prokurori Ndoj (djathtas)

GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen e SPAK në ngarkim të dy personave që dyshohet se janë përfshirë në atentatin ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoj, ngjarje e ndodhur në 1 nëntor 2019, ku si pasojë e të shtënave humbi jetën Andi Maloku, në atë kohë shofer i ish-prokurorit.

Prokurori i SPAK, Adnan Xholi, paraqiti dosjen në seancën paraprake në GJKKO, sipas të cilës në atentatin ndaj Ndojës kanë marrë pjesë edhe Amar Shkëmbi dhe Bledar Polovina. Gjyqtari Bib Ndreca vendosi kalimin e dosjes për gjykim.

Amar Shkëmbi u ekstradua nga Dubai në Tiranë në tetor 2025, ndërsa më herët ishte shpallur në kërkim nga SPAK.

Shkëmbi, dyshohet se së bashku me Bledar Polovina, Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, dhe Ariol Halilaj kanë vepruar në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” në ngjarjen e regjistruar në 1 nëntor 2019 ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe i plagosur Arjan Ndoja si dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe me emrin “Rrumi i Shijakut”.

Në të njëjtën çështje penale janë edhe të pandehurit Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.

Atentati ndodhi në zonën e njohur si mbikalimi i Shkozetit, kur automjeti që drejtohej nga Andi Maloku dhe si pasagjerë ishin Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, u qëllua me breshëri armësh. Si pasojë e të shtënave humbi jetën Andi Maloku, ndërsa u plagos Ndoja dhe “Rrumi”.

 

gjkko ndoja dosja

Lini një Përgjigje