Komunikimet përmes aplikacionit Sky ECC mes Klajdi Merkajt dhe Franc Çopjes janë pjesë e një vendimi voluminoz të Gjykatës së Posaçme për masë sigurie ndaj organizatës kriminale “Çopja”, e akuzuar për një seri vrasjesh me pagesë, trafikimin ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës si dhe pastrimin e parave me burime kriminale.
Klajdi Merkaj në kërkim ndërkombëtar për llogari të dosjes “Çopja” është arrestuar të mërkurën e 16 tetorit në Romë.
Arrestimi i Merkajt, që akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Paralelisht me masën e arrestit, më herët shkalla e parë dhe Gjykata e Posaçme e Apelit lanë në fuqi masën e sekuestros për pasuritë e Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Klajdi Merkaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj.
Sekuestrot u vendosën pas operacionit të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme më 31 korrik, ku kërkoi arrestimin e 33 personave, por që u arrestuan vetëm 11 prej tyre, ndërsa për dy të tjerë, u komunikua akuza në burg pasi janë arrestuar më herët për vepra të tjera penale.
Kush është Klajdi Merkaj?
Në shtator të vitit 2020, Klajdi Merkaj po planifikonte një udhëtim në Dubai për të siguruar financime të bollshme për zgjerimin e biznesit të tij të ndërtimit në Tiranë.
Asokohe vetëm 31 vjeç, Merkaj po ndërtonte përmes kompanisë së themeluar prej tij një kompleks vilash luksoze në Lundër – zonën e pasur të periferisë që rrethon kryeqytetin shqiptar, por ambiciet e tij ishin më të mëdha.
Ndërsa po negocionte për blerjen e dy trojeve të kushtueshme në Tiranë, Merkaj kuptoi se kishte nevojë për më shumë para. Ai iu drejtua për ndihmë Franc Çopjes, një bosi shqiptar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i njohur ndryshe edhe si Franc Gergely.
Merkaj akuzohet se komunikonte me Çopjen përmes aplikacionit Sky ECC dhe e kishte informuar më parë atë për planet e tij të biznesit.
Komunikimet përmes aplikacionit Sky ECC mes Klajdi Merkajt dhe Franc Çopjes janë pjesë e një vendimi voluminoz të Gjykatës së Posaçme për masë sigurie ndaj organizatës kriminale “Çopja”, e akuzuar për një seri vrasjesh me pagesë, trafikimin ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës si dhe pastrimin e parave me burime kriminale.
Përveç konflikteve të përgjakshme, këto komunikime ekspozojnë gjithashtu disa shembuj të kufizuar të një fenomeni që besohet se është shumë herë më i përhapur mbi pastrimin e parave të narkotrafikut në kullat dhe komplekset e ndërtimit në Tiranë.
Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe njihet si “parajsë penale” për një sërë figurash të krimit të organizuar shqiptar, të cilët u fshehën atje për t’u shpëtuar arrestimeve apo atentateve nga grupet rivale.
Franc Çopja besohet se qëndroi në Dubai nga viti 2020 deri në dhjetor 2023, kur u ekstradua në Belgjikë si urdhërues i një vrasjeje për “prishjen e pazareve të drogës”.
Hetuesit besojnë se ai dirigjoi nga Dubai një ushtri me njerëz për të pastruar paratë e tij në Shqipëri si dhe negocioi marrëveshje biznesi që e bënin atë një investitor të fshehtë në projektet e ndërtimit në Tiranë.
Gjatë vitit 2020, kohë së cilës i përkasin bisedat e zhvilluara në SKY ECC, Çopja dokumentohet të ketë sjellë në Shqipëri të paktën 7.5 milionë euro të thata, të cilat u investuan në ndërtimin e një pallati pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në blerjen e apartamenteve të shtrenjta në disa prej kullave të Tiranës si dhe dy vilave në kompleksin “Mandarine Drive” pas qendrës tregtare TEG, e ndërtuar nga kompania e themeluar nga Merkaj.
Një sasi më e madhe prej 15.4 milionë eurosh dyshohet që të jetë investuar një vit më vonë në blerjen e lingotave të arit nga Çopja.
Sipas Europol, agjencisë ligjzbatuese të Bashkimit Europian që koordinoi operacionin e goditjes së grupit Çopja në fund të korrikut, kjo organizatë përdorte transaksione komplekse për të pastruar paratë e gjeneruara nga aktivitetet e paligjshme.
“Mes të arrestuarve është edhe një pastrues parash me qendër në Tiranë, i cili u ofronte shërbimet e tij disa grupeve të tjera kriminale të nivelit të lartë, të angazhuar në nivel ndërkombëtar në vrasje, korrupsion dhe trafik droge në shkallë të gjerë,” deklaroi Interpoli.
Pastrimi i parave nga klani Çopja
Përveç sipërmarrësve të ndërtimit, Franc Çopja përdori edhe persona të tjerë për operacionet e tij të pastrimit të parave në Shqipëri.
Dy prej tyre dyshohet se ishin pronarët e një pike të këmbimit valutor “B.Lika, Çimi & Keni” përballë Bankës së Shqipërisë, Bashkim Lika dhe Maklen Mici, të cilët akuzohen se e përdornin biznesin e tyre si bazë financiare për organizatën kriminale Çopja.
Prokuroria e akuzon Micin se si përdorues i pikës së këmbimit valutor ka mbajtur në një rast në këto ambiente 2.3 milionë euro, të cilat i përkisnin Franc Çopjes dhe një pjesë e të cilave janë tërhequr nga Arben Lamçja.
Lini një Përgjigje