TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Nëntor 2024, 13:06

Masakra në Dobraç, 4 efektivët e Shqiponjave pezullohen nga detyra; u ndalohet edhe dalja jashtë shtetit 

Shkruar nga Pamfleti
Masakra në Dobraç, 4 efektivët e Shqiponjave pezullohen nga
Masakra në Dobraç

Katër policët akuzohen se nuk kanë respektuar procedurën standarde të sigurimit të vendit të ngjarjes si dhe nuk kanë identifikuar personat e gjetur në vendin e ngjarjes.

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masat e sigurisë për 4 efektivët e forcave Shqiponja që u arrestuan nga AMP pas masakrës në Dobraç.

Gjykata vendosi detyrim paraqitje, ndalim dalje jashtë shtetit dhe pezullim nga detyra për: 

1- Blerim Kurmekaj - Inspektor në patrullën e Përgjithshme e Forcës së Posaçme 'Shqiponja', Shkodër, 45 vjeç

2- Viktor Logu - Inspektor në patrullën e Përgjithshme e Forcës së Posaçme 'Shqiponja', Shkodër, 33 vjeç

3- Julian Sterkaj - Inspektor në Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër, 31 vjeç

4- Marte Martini, -  Inspektor në Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër 33 vjeç

Ata akuzohen për ''Shpërdorim detyre''.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore u vuri prangat 2 ditë më parë, katër policëve që ishin në vendngjarje ditën kur ndodhi masakra e Shkodrës me 4 viktima.

Policët akuzohen se nuk kanë respektuar procedurën standarde të sigurimit të vendit të ngjarjes si dhe nuk kanë identifikuar personat e gjetur në vendin e ngjarjes. Në masakrën e Dobraçit ka qenë i pranishëm në mjetin e viktimave edhe një person i tretë, i cili është filmuar nga kamerat, por deri më tani nuk është zbuluar identiteti i tij.

Videot e publikuara pas ngjarjes treguan se një prej personave që ndodhej pranë viktimave mund të jetë i shumëkërkuari, Ibrahim Lici.

Në masakrën e Dobraçit mbetën të vrarë katër persona, mes të cilëve dy bashkëshortë Flutura dhe Bashkim Basha.

Çfarë ndodhi më 30 tetor në Shkodër?

Hamza Lici, 23 vjeç, Arlind Bushati, 32 vjeç dhe Flutura Basha u vranë pas një atentati mafizo të mirëorganizuar, i cili u regjistrua në zonën e Dobraçit. Bashkim Basha, bashkëshori i Fluturës u plagos dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ku humbi jetën pas disa ditësh.

Dyshohet se në atentat morën pjesë 4 autorë. Në makinën tip “Land Rover” që u gjet e shkrumbuar në fshatin Golem, vetëm 5 kilometra larg vendit të atentatit, sipas burimeve policore gjendeshin 3 persona, shoferi dhe dy qitës që qëlluan me breshëri kallashnikovi. Ndërsa personi i katërt i ka pritur në zonën ku është djegur automjeti, duke i ndihmuar të largohen.

Jo vetëm kaq, por grupi hetimor ka dyshime të forta se autorët janë vrasës me pagesë nga Mali i Zi, në moshë të re. Automjeti me të cilin po lëviznin viktimat rezulton të ketë hyrë në vendin tonë gjithashtu nga Mali i Zi, ndërkohë që gjatë kësaj kohe ka bërë lëvizje të shumta në zonën e Dobraçit.

Hetuesit kanë sekuestruar më shumë se 35 gëzhoja në vendngjarje. Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë, por po haset vështirësi pasi në zonë nuk ka kamera të shumta, ose edhe ato që janë nuk kanë server për ruajtje pamjesh. Disa prej tyre janë të koduara dhe janë marrë për t’u ekspertuar në laborator.

Për ngjarjen e rëndë në komisariatin e Shkodrës u shoqëruan mbi 20 persona, mes tyre edhe Safet Bajri dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ky i fundit qëndroi rreth 2 orë në polici dhe mësohet se mohoi të ketë lidhje me atentatin, duke deklaruar se ishte në banesë me familjen. Sipas tij, shtëpia është e monitoruar me kamera dhe e vërteton një fakt të tillë.

Deri më tani, pista kryesore ku janë përqendruar hetuesit është ajo e hakmarrjes për shkak të konfliktit të gjatë mes familjes Lici dhe Bajri. Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare.

masakra në dobraç

Lini një Përgjigje