
Mëngjesin e sotëm rreth orës 03:20 një sasi tritoli i është vënë banesës së Skënder Likës në Sanxhak të Laçit. Si rezultat i shpërthimit të fuqishëm, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në banesën e tij, por dëmtime ka edhe te banesat përreth.
Mësohet gjithashtu se Skënder Lika ka qenë në banesë bashkë me bashkëshorten e tij në momentin e shpërthimit, por fatmirësisht asnjëri nuk është lënduar.
Policia është në vend ngjarje dhe po heton pistën e hakmarrjes, pasi djali i Skender Likës vrau biznesmenin Rakip Roli në dhjetor 2021, ku dhe vetë Lika ka qenë i përfshirë dhe mendohet se ngjaraj ka lidhje me këtë rast.
Skënder Lika është gjithashtu xhaxhai i Ilir Likajt (Xhepajt), i arrestuar për vrasjen e dy biznesmenëve në një hotel në Mamurras, përkatësisht të shtetasve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika (ky i fundit pa lidhje farefisnore me autorin e vrasjeve).
Xhepaj dyshohet se bashkë me Eduart Lamajn të arrestuar në Tiranë si edhe dy persona të tjerë ekzekutuan më datë 30 maj dy biznesmenët. Gjithashtu, Skënder Lika është vëllai i Myslim Likës, i plagosur në një atentat në Mamurras.
Njoftimi i policisë:
Në orët e para të mëngjesit, në Sanxhak, Kurbin, në veranden e banesës së shtetasit S. L., ka shpërthyer lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes, po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Lini një Përgjigje