
Gjykata e Posaçme vendosi dënime me burg për Gazment dhe Kalosh Peposhin, të akuzuar për blerje votash gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Kukës.
Sipas vendimit, Gazment Peposhi mori dënimin me 1.9 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 1.2 vite heqje lirie. Kalosh Peposhi u dënua me 1.7 vite burg, dënim që ulet në 1.1 vite për të njëjtën arsye.
Kalosh Peposhi përfundon dënimin pasi e ka shlyer periudhën përkatëse në paraburgim.
Prokuroria e Posaçme provoi se dy kushërinjtë bashkëpunuan për të siguruar vota në njësinë administrative Ujmisht, në këmbim të pagesave në para për zgjedhësit, me qëllim mbështetjen e Partisë Social Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi. Hetimi u mbështet në përgjime telefonike dhe veprime vëzhgimi.
Policia arrestoi 27-vjeçarin Kalosh Peposhi një ditë para votimit. Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan 205.500 lekë të reja, 525 euro, një telefon celular dhe një automjet tip Mercedes Benz.
Gazment Peposhi, i cili mban edhe funksionin e kryeplakut të fshatit Lusen, rezulton në kërkim.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme mbyll fazën e parë gjyqësore për këtë çështje që lidhet me integritetin e procesit zgjedhor në zonën e Kukësit.
Lini një Përgjigje