Tetë persona janë arrestuar nga policia në Tiranë, pasi dyshohet se shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur për të lypur dhe për të punuar, kryesisht gjatë orëve të natës.
Sipas njoftimit zyrtar, për katër prej të dyshuarve është caktuar masa “arrest në burg”, ndërsa katër të tjerë do të hetohen në “arrest shtëpie”.
Nga hetimet disa mujore ka rezultuar se të dyshuarit, në raste të ndryshme dhe ndonjëherë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i nxirrnin fëmijët e tyre 9–11 vjeç në zona të ndryshme të kryeqytetit, për të lypur apo për të kryer punë të ndryshme, sidomos gjatë mbrëmjes dhe natës.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se praktika ishte e përsëritur dhe e organizuar, ndërsa rasti është trajtuar si shkelje e rëndë që prek drejtpërdrejt të drejtat dhe mirëqenien e të miturve.
"Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Prokuroria, operacioni i koduar “Filizat”. Individualisht dhe në grupe, shfrytëzonin për të punuar dhe për të lypur, kryesisht gjatë natës, fëmijët e tyre 9-11 vjeç, ekzekutohen masa sigurie për 8 shtetas (për 4 prej tyre, “Arrest në burg”).
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të cilët shfrytëzojnë fëmijët, për të punuar dhe/ose për të lypur, u finalizua operacioni i koduar “Filizat”, gjatë të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë:
-“Arrest në burg”, për shtetasit E. B., 41 vjeç, R. S., 35 vjeç, M. R., 35 vjeç dhe M. G., 34 vjeç;
-“Arrest në shtëpi”, për shtetaset L. B., 35 vjeçe, A. M., 41 vjeçe, M. S., 35 vjeçe dhe A. Sh., 35 vjeçe.
Nga veprimet hetimore disamujore, ka rezultuar se këta shtetas, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për të punuar kryesisht gjatë natës, si dhe për të lypur, fëmijët e tyre të moshave 9-11 vjeç, në zona të ndryshme në juridiksion të Komisariatit të Policisë Nr. 2.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit", njofton policia.
Lini një Përgjigje