TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Shkurt 2026, 19:11

Aksioni te Call-Centeri te ‘Myslym Shyri’, arrestohet italiani ‘Giorgio’

Shkruar nga Pamfleti
Aksioni te Call-Centeri te ‘Myslym Shyri’, arrestohet italiani
Foto nga aksioni i SPAK te call center

SPAK arreston një tjetër person për skemën e call center-ave

Operacioni i SPAK kundër mashtrimeve financiare përmes call center-ave në Shqipëri çoi në një tjetër arrestim. Policia ka ndaluar në Tiranë shtetasin italian Cosimo Notari Stefano, me urdhër të Prokurorisë. Hetuesit e përfshijnë atë në një grup të organizuar që dyshohet se ka mashtruar qytetarë të huaj nëpërmjet investimeve të rreme në bursat Forex, duke shkaktuar dëme në vlera të konsiderueshme.

Notaristefano është vënë në pranga në Portin e Durrësit, teksa po tentonte të largohej nga vendi.

ai ishte në kërkim që prej 16 janarit, pas operacionit që u zhvillua në ambientet e një kulle në kryeqytet, ku dyshohet se ushtronte aktivitetin subjekti në fjalë.

Si u zhvillua operacioni i SPAK?

Operacioni nisi pas provave të dorëzuara nga gazetarë italianë dhe denoncimeve të qytetarëve. Sipas të dhënave zyrtare, hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pas dorëzimit të provave nga gazetarë italianë të emisionit “Le Iene” dhe pas kallëzimeve të disa qytetarëve italianë që raportuan humbje financiare. Një shtetas italian u infiltrua në ambientet e Call Center-it dhe siguroi informacion mbi funksionimin e skemës.

Aktiviteti zhvillohej në godinën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë. Hetimet tregojnë se operatorët telefononin qytetarë, kryesisht italianë, dhe i bindnin të investonin në platforma të rreme kriptomonedhash. Viktimat transferonin para në kriptomonedha me premtimin e fitimeve, ndërsa fondet përfundonin në llogari virtuale të kontrolluara nga organizatorët.

Prokuroria bëri me dije se drejtuesit kishin vendosur kamera sigurie dhe persona vëzhgimi jashtë ambienteve për të sinjalizuar çdo lëvizje të dyshimtë.

Mbrëmjen e 15 janarit 2026, pas dyshimeve për një kontroll të mundshëm, përgjegjësit boshatisën zyrat në “Atti Tower” dhe larguan pajisjet gjatë natës. Në orët e para të 16 janarit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kapën në flagrancë gjashtë persona teksa transportonin pajisje kompjuterike drejt një ambienti në Bulevardin “Bajram Curri”. Një pjesë e pajisjeve po tentohej të asgjësohej.

SPAK ndaloi edhe dy persona të tjerë dhe shpalli në kërkim tre shtetas, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Sipas hetimeve, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, e cila ushtron aktivitet në fushën e Call Center dhe telemarketingut.

Në pranga përfunduan Remir Gjoligaj, David Qerimi, Endri Gjata, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi.

Gjatë kontrolleve në 28 ambiente, përfshirë banesa, zyra, automjete dhe garazhe, autoritetet sekuestruan qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, laptopë, karta SIM, dokumente, kamera sigurie dhe automjete. Mes mjeteve të sekuestruara ndodhet edhe një automjet tip Ferrari, që dyshohet se lidhet me organizatorët e aktivitetit.

aksioni i spak te call center cosimo notari stefano spak le iene

Lini një Përgjigje