
Irakli Lekës i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite
Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka shpallur fajtor Irakli Lekën, ish-shef i regjimit në burgun e Lushnjes, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas dosjes, Leka u arrestua në shtator të vitit të kaluar, pas një denoncimi të publikuar në një emision investigativ. Ai akuzohej se kishte marrë 700 euro nga një i burgosur në këmbim të dhënies së një lejeje të përkohshme.
GJKKO e dënoi fillimisht me 3 vite e tre muaj burg. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite e dy muaj heqje lirie.
Megjithatë, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vendosur të pandehurin në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale. Si pasojë e pezullimit të dënimit me burg, u shua edhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj tij.
Në vendimin përfundimtar, gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës së Irakli Lekës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Vendimi i plotë i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Irakli Leka”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Atalanta Zeqiraj dhe Marinela Osmani, me vendimin nr. 16, datë 16.02.2026 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Irakli Leka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet e 3 (tre) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Irakli Leka i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 2 (dy) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin Irakli Leka për një periudhë kohore 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
Bazuar në nenin 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit Irakli Leka, me vendimin nr. 94, datë 19.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Irakli Leka, për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjet.
Në aplikim të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale të sekuestruara: aparati celular i markës “Iphone”, me ngjyrë të zezë, me nr. IMEI ****, dhe një kartë SIM e kompanisë “Vodafone”, me nr. tel. ****, t’i kthehen të pandehurit Irakli Leka, ndërkohë, Një USB e markës “Verbatim”, me ngjyrë të zezë, me nr. ****, në të cilën është ngjitur një letër e bardhë me mbishkrimin “Proc.Penal Nr. 179/2025”, në të cilën ndodhet akti i ekspertimit kompjuterik; Një DVD e markës “Verbatim”, me ngjyrë gri, me mbishkrimin me shkrim dore me ngjyrë të kuqe “STOP 16.09.25”, administruar me këqyrje dhe marrje nga drejtuesi i emisionit “STOP”, të mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.
Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.
Lini një Përgjigje