TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Shkurt 2026, 12:16

Vrasja e Boriçit dhe tentativa për ekzekutimin e Musabelliut, SPAK kërkon dëshminë e 40 personave

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Boriçit dhe tentativa për ekzekutimin e Musabelliut, SPAK
Vrasja e Boriçit dhe tentativa për ekzekutimin e Musabelliut, SPAK kërkon dëshminë e 40 personave

Seanca e radhës për dosjen “Metamorfoza” u shoqërua me tensione dhe debate mes palëve, pasi Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi thirrjen e 40 dëshmitarëve.

Prokuroria synon t’i marrë në pyetje lidhur me vrasjen e Gjin Boriçit në gusht 2020 dhe me sigurimin e kushteve për atentatin ndaj Kleanthi Musabellit, ngjarje që, sipas SPAK, lidhen me veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.

Diskutimi në sallë u përqendrua te të dhënat e aplikacionit SKY ECC dhe mospërputhja e pretenduar e orareve të komunikimeve me kohën e vrasjes së Boriçit. Ish-kreu i SPAK, Arben Kraja, deklaroi se ora e serverave të SKY ECC nuk përputhet me orën lokale, duke kundërshtuar pretendimet për manipulim të kohës së bisedave.

Avokati Gurali Brahimllari, mbrojtës i biznesmenit Pëllumb Gjoka, akuzoi prokurorinë për ndërhyrje në procesverbal. Sipas tij, dokumentacioni i Gjokës është spostuar dhe provat janë deformuar.

Gjykata shtyu seancën pas kërkesës së avokatëve për kohë shtesë, me qëllim njohjen e plotë me provat dhe materialet e paraqitura nga prokuroria.

Në këtë proces, përveç Pëllumb Gjokës, po gjykohen edhe Behar Bajrovic dhe Edmond Preka. Çështja po trajtohet me gjykim të zakonshëm, ndërsa një pjesë tjetër e dosjes “Metamorfoza”, që lidhej me vepra më të lehta, është shqyrtuar më herët me gjykim të shkurtuar. Seanca e ardhshme pritet të vijojë me shqyrtimin e kërkesave dhe provave të paraqitura nga palët.

Lini një Përgjigje