TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Shkurt 2026, 18:51

"Kriminel i rrezikshëm", prokurorët belgë kërkojnë burg përjetë për Franc Çopjan

Shkruar nga Pamfleti
"Kriminel i rrezikshëm", prokurorët belgë
Franc Çopja

Dy prokurorë federalë belgë kërkuan sot dënim me burgim të përjetshëm për Franc Çopjan. Ai u shpall fajtor të premten nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel për urdhërimin e vrasjes së Ardit Spahiut dhe për udhëheqjen e një organizate kriminale.

Prokurorët federalë belgë kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, i shpallur fajtor për urdhërimin e vrasjes së Ardit Spahiut dhe për drejtimin e një organizate kriminale.

Kërkesa u paraqit sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel, pasi juria e shpalli fajtor 33-vjeçarin për atentatin e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Sint-Jans-Molenbeek, ku 38-vjeçari Spahiu u qëllua me nëntë plumba në shpinë dhe kokë. Sipas akuzës, vrasja ishte planifikuar për muaj me radhë dhe lidhej me përplasje mes grupeve kriminale.

Prokurorët kërkuan gjithashtu që, në rast të dënimit me burgim të përjetshëm, Çopja të paraqitet para gjykatës së zbatimit të dënimeve jo më herët se pas pesë vitesh. Sipas tyre, nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese që juria duhet të marrë në konsideratë në përcaktimin e masës së dënimit.

Gjatë paraqitjes së argumenteve përfundimtare, prokurorja Nathalie Franco e cilësoi të pandehurin si “trurin operacional” të komplotit, duke e përshkruar si “individ jashtëzakonisht të rrezikshëm”, me “mungesë totale empatie” dhe me “mentalitet luftarak e kriminal”.

Në krahun tjetër, mbrojtja e kundërshtoi kërkesën për burgim të përjetshëm, duke e cilësuar si një masë “shembullore” që tejkalon nevojën për një dënim të individualizuar. Avokati i tij argumentoi se dënimi duhet të jetë “i nevojshëm dhe proporcional”, duke përmendur moshën e re të të pandehurit dhe mungesën e një dënimi të mëparshëm në Belgjikë.

Vetë Çopja iu drejtua jurisë duke kërkuar “mëshirë” dhe duke theksuar moshën e tij 33 vjeç.

Franc Gergely ndodhet në paraburgim në Belgjikë që prej 29 dhjetorit 2023, pas ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai akuzohet si pjesë e një përplasjeje mes grupeve kriminale shqiptare, në atë që prokuroria e ka cilësuar si një “luftë klanesh” me pasoja fatale.

Lini një Përgjigje