
Një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm mbeti i vrarë brenda burgut të sigurisë së lartë në Domokos, Greqi, në një ngjarje që, sipas mediave greke, kishte si shënjestër shefin e gardës së burgut.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi pas orës 19:00 të së dielës, në një zonë të burgut pa mbikëqyrje me kamera sigurie. Një 43-vjeçar grek, i dënuar përjetë për vrasjen e biznesmenit Dimis Korfiatis në vitin 2021, ndodhej në shoqërinë e kryegardianit dhe një të dënuari bullgar.
Raportet paraprake tregojnë se 43-vjeçari, i armatosur me një pistoletë, ende e paqartë se si është futur në burg, ka tentuar të qëllojë drejt kryegardianit. Në ato momente, i dënuari bullgar, i dënuar për vrasjen e biznesmenit greko-australian Yannis Makris në vitin 2018, e ka çarmatosur dhe e ka qëlluar dy herë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Sipas medias greke “Protothema”, arma e përdorur, një revolver tip “Colt” me tre fishekë të shkrepur, do t’i nënshtrohet ekzaminimeve laboratorike.
“Ekzaminimi fillestar i trupit zbuloi se viktima ishte qëlluar dy herë në kokë, duke rezultuar në vdekjen e tij të menjëhershme. Pyetja që mbetet është: Pse ishin të tre atje, dhe në një zonë që është ‘e verbër’ ndaj kamerave?”, shkruan media greke.
Hetime mbi rolin e zyrtarëve dhe lidhjet e dyshuara
Shefi i rojes së burgut të Domokosit konsiderohet një dëshmitar kyç në hetim. Sipas burimeve policore të cituara nga mediat greke, autoritetet po shqyrtojnë me kujdes dëshminë e tij, pasi ekzistojnë boshllëqe në versionin e paraqitur prej tij dhe të të dënuarit bullgar.
Në sfond të ngjarjes përmendet edhe rasti i një të dënuari shqiptar, i cili kishte përfituar leje nga burgu i Domokosit disa muaj më parë dhe nuk ishte kthyer më. Sipas raportimeve, leja ishte dhënë pas një opinioni pozitiv nga kryegardiani. Mediat greke theksojnë gjithashtu se mes tyre ekziston një lidhje familjare (bazhanakë), çka ka shtuar dyshimet dhe interesin e hetuesve.
Po ashtu, në raportimet fillestare është përmendur edhe emri i Alket Rizait, një emër i njohur për autoritetet greke. Sipas burimeve mediatike, ai dyshohet të ketë qenë pranë vendit të ngjarjes, por roli i tij mbetet i paqartë dhe është pjesë e hetimeve në vijim nga policia greke (ELAS).
Siguria në burgjet greke nën kritikë
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në burgjet greke. Mediat vendase raportojnë se brenda qelive janë gjetur herë pas here armë, drogë dhe telefona celularë, duke ngritur pikëpyetje mbi kontrollin dhe masat parandaluese.
Incidenti në Domokos vjen pak javë pas një tjetër ngjarjeje të rëndë në burgun e Malandrinos, ku u vra një tjetër i dënuar përjetë shqiptar, Jani Aliaj.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes në Domokos vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të hedhin më shumë dritë mbi përgjegjësitë dhe rolin e secilit prej të përfshirëve.
Lini një Përgjigje