Nëna e 15-vjeçarit, i cili është identifikuar si drejtuesi i automjetit që u aksidentua në Greqi, ku humbi jetën 16-vjeçari shqiptar Eljon Metaj, ka mohuar që djali i saj të ketë qenë në timon në momentin e ngjarjes.
Ndërkohë, një shok klase i të miturit ka kundërshtuar deklaratën e saj, duke pretenduar se 15-vjeçari e kishte marrë edhe herë të tjera makinën e nënës pa dijeninë e saj.
Aksidenti tragjik ndodhi në Loutsa, në kryqëzimin e rrugëve “Dimokratias” dhe “Sotiros”, ku përveç 16-vjeçarit që humbi jetën, mbetën të plagosur edhe dy bashkëmoshatarë të tjerë. Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Sipas shokut të klasës, 15-vjeçari kishte mësuar të drejtonte automjetin nga babai i tij dhe kjo nuk ishte hera e parë që merrte makinën.
“E kishin bërë edhe më parë. Mamaja e tij nuk e dinte sepse ajo ishte në punë. Makinën ia kishte mësuar i ati”, është shprehur ai.
Nga ana tjetër, nëna e të miturit deklaron se djali i saj nuk dinte të ngiste automjetin dhe se ishte nxitur nga një shok për të marrë çelësat.
“Tani është në shok. ‘Mami, shoku im, çfarë bëra?’”, ka treguar ajo.
Prindërit e 15-vjeçarit shprehen të tronditur nga ngjarja, duke theksuar se djali i tyre ndodhet në gjendje shoku dhe po përpiqet të kuptojë çfarë ka ndodhur.
Sipas hetimeve paraprake, një nga të miturit kishte marrë fshehurazi çelësat rezervë të makinës së nënës dhe, duke lëvizur me shpejtësi të lartë, kishte humbur kontrollin e automjetit, i cili përfundoi duke u përplasur me një pemë.
Lini një Përgjigje