TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Shkurt 2026, 11:03

Plagosja e 18-vjeçares në hotel, lihet në burg i dashuri i vajzës; Gjykata cakton masat e sigurisë për të arrestuarit

Shkruar nga Pamfleti
Plagosja e 18-vjeçares në hotel, lihet në burg i dashuri i
Hoteli ku u vetëplagos 18-vjeçarja

Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Erisjaldo Gjuta, të dashurin e 18-vjeçares që u plagos në një hotel në zonën e Saukut.

Ndaj tij, janë ngritur akuzat “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar respektivisht nga nenet 300, 301 dhe 278, prg.1, të Kodit Penal.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 14 shkurtit, kur 18-vjeçarja e identifikuar si Natalie Murati, u transportua në spital me plagë me armë zjarri.

Policia arrestoi 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, ndërsa policia e klasifikoi ngjarjen si vetëplagosje.

Në njoftimin zyrtar, policia theksoi se “nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri”.

Lidhur me ngjarjen, sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë dy persona, Mirvete Rexhmati Gjuta dhe Vladimir Gjuta, ndërkohë që u shpallën në kërkim Sajmir Gjuta, 49 vjeç, Elvir Gjuta, 24 vjeç.

Erisjaldo Gjuta, i dashuri i 18-vjeçares Natalie Murati, është i biri i Sajmir Gjutës dhe Mirvete Rexhmati Gjutës. Ndërkohë, Vladimir Gjuta është xhaxhai i 22-vjeçarit, ndërsa Elvir Gjuta, kushëri i tij.

Gjatë seancës për vendosjen e masës së sigurisë, Prokurori kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim E. Gj. dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu Prokurori kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V. Gj. (D.) dhe caktimin e masës së sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Po kështu, Prokurori kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim M. R. dhe caktimin ndaj e masës së sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Pasi ka shqyrtuar të gjitha faktet, të dhënat, shpjegimet, qëndrimet, si dhe provat e paraqitura nga palët, Gjykata, në përfundim gjykimit, në bazë dhe për zbatim të nenit 112, 228-230, 238, 244, 251, 252, 258, dhe 259 të Kodit të Procedurës Penale:

Vendosi:

1. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim E. Gj., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar respektivisht nga nenet 300, 301 dhe 278, prg.1, të Kodit Penal.

2. Caktimin ndaj personit nën hetim E. Gj., të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

3. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V. Gj. (D.), i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” të parashikuara respektivisht nga nenet 300 dhe 301 i Kodit Penal.

4. Caktimin ndaj personit nën hetim V. Gj. (D.), të masës së sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

5. Urdhërohet personi nën hetim V. Gj. (D.), të paraqitet para shërbimeve të policisë gjyqësore, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, çdo të hënë, ora 10:30.

6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim V. Gj. (D.), nëse në ngarkim të tij nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues, arrest në burg, dhe/ose ndonjë vendim penal dënimi me burgim, i formës së prerë.

7. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim M. R., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” të parashikuara respektivisht nga nenet 300 dhe 301 i Kodit Penal.

8. Caktimin ndaj personit nën hetim M. R., të masës së sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

9. Urdhërohet personi nën hetim M. R., të paraqitet para shërbimeve të policisë gjyqësore, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, të hënën e parë, të çdo muaji, ora 10:00.

10. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim M. R., nëse në ngarkim të saj nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues, arrest në burg, dhe/ose ndonjë vendim penal dënimi me burgim, i formës së prerë.

11. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore.

12. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.

plagosja 18-vjecare hotel

Lini një Përgjigje