
Gjykata e Durrësit ka lënë në burg dy persona, ndërsa një tjetër në “arrest shtëpie” pasi kanë kërcënuar me armë një 44-vjeçar.
Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy shtetasit e arrestuar gjatë një operacioni tre ditë më parë, pasi po përgatiteshin për të kryer një ngjarje kriminale.
Për Bajram Roçi dhe Bekim Çera, gjykata caktoi masën “Arrest në burg” ndërsa për Ylli Muratin ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Të tre shtetasit akuzohen se, për motive të dobëta, kanosën me armë zjarri një 44-vjeçar në zonën e Plazhit.
Policia e Durrësit ndërhyri mbrëmjen e së hënës, pas një njoftimi për rastin e kanosjes në rrugën “Pavarësi”, duke arrestuar autorët në flagrancë.
Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar tip Lancia, në pronësi të 40-vjeçarit Ylli Murati, policia gjeti dy armë zjarri (kallashnikov dhe pistoletë), si dhe një radio të lidhur me kanalet e komunikimit të DVP Durrës. Ndërkohë, në shtëpinë e babait të Bajram Roçit, u sekuestrua një pistoletë.
Lini një Përgjigje