Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sarandë, ku një çift të moshuarish dhe djali i tyre janë përfshirë në një konflikt që ka përfunduar me plagosjen e një të mituri.
Specialistët për Hetimin e Krimeve kanë arrestuar në flagrancë 79-vjeçarin me iniciale L. B. dhe bashkëshorten e tij, P. B., 73 vjeçe. Sipas policisë, dyshohet se për motive të dobëta, të moshuarit kanë goditur me thikë në dorë një fëmijë, duke i shkaktuar lëndime.
Përveç sulmit ndaj të miturit, bashkëshortët kanë kundërshtuar edhe uniformat blu, duke mos iu bindur urdhrit të policisë për t’u shoqëruar në komisariat.
Në lidhje me këtë ngjarje ka nisur procedimi penal edhe për djalin e çiftit, shtetasin E. B., 39 vjeç. Ai akuzohet se ka kanosur të miturin me mjet prerës gjatë të njëjtit konflikt.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 79 vjeç, dhe P. B., 73 vjeçe, bashkëshortë, banues në Sarandë, pasi dyshohen se për motive të dobëta, kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në pjesën e dorës, një shtetas të mitur, si dhe nuk janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për shoqërim. Në kuadër të këtij rasti është proceduar penalisht edhe shtetasi E. B., 39 vjeç, (djali i çiftit të bashkëshortëve), pasi dyshohet se ka kanosur gjithashtu të miturin me mjet prerës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje