
Policia e Krujës ka arrestuar një 55-vjeçar të shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Mountain”.
Bëhet fjalë për 54-vjeçarin Imer Kameri, i cili u kap në zonën e Bruz Zallit. Ai u arrestua ditën e djeshme në zonën e Malësisë së Krujës, i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti.
Kameri ishte në kërkim që prej janarit 2024 për veprat penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas Policisë, ai dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin Agron Asllanaj, i cili si pasojë e ngjarjes ka mbetur i plagosur rëndë.
Ndaj 54-vjeçarit rëndon edhe një tjetër masë sigurie, e caktuar në gusht 2024 nga Gjykata e Tiranës, për “kultivim të bimëve narkotike”.
Nga verifikimet rezulton se ai nuk është i panjohur për drejtësinë, pasi në vitin 2012 është gjykuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje”.
Policia vijon veprimet procedurale, ndërsa i arrestuari pritet të përballet me drejtësinë për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Mountain”.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 55-vjeçar i shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.
Si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operativo-ligjore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mountain”, për kapjen e shtetasve në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin I. K., 55 vjeç, banues në Krujë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në janar të vitit 2024, në fshatin Bruzë-Zall, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 55-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit A. A.
Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi, po nga Gjykata e Tiranës, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” edhe për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje