
GJKKO ka vendos masën e sigurisë "arrest me burg" për Aleks Ndrekën.
Aleks Ndreka, i njohur me nofkën “Leksi i Druve”, është lënë në masën e sigurisë “arrest në burg”, vetëm dy ditë pasi u ekstradua nga Italia.
Gjatë seancës për caktimin e masës, ai nuk paraqiti asnjë kundërshtim, ndërsa avokati i tij bëri me dije se vendimi do të ankimohet.
Ndreka është shpallur në kërkim në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, ku dyshohet për përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale të vitit 2017.
Sipas Policisë, Aleks Ndreka alias Aleks Doda akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre.
Ndreka njihet gjithashtu për përplasjet me ish-deputetin socialist Arben Ndoka, konflikte që pasi informacioneve të dyshimta të Ndokës, Ardian Nikulaj dhe Deda kishin mundësuar futjen e Durim Bamit për të ekzekutuar vëllain e ish-politikanit, Aleksandër Ndoka.
Sipas SPAK, Arben Ndoka, në bashkëpunim me persona të afërt, përfshirë familjarë, dyshohet se ka tentuar vrasjen e Ndrekës, duke e përfshirë rastin në një zinxhir konfliktesh mes palëve.
Kush është Aleks Ndreka?
Aleks Ndreka (Deda), i njohur ndryshe si “Leksi i druve”, konsiderohet një personazh i njohur në botën e krimit, kryesisht në zonat e Lezhës dhe Shkodrës. Ai është një nga 15 personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Sipas dosjes hetimore, ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, dyshohet se ka kërkuar vrasjen e Ndrekës, pasi e konsideronte të përfshirë në ndihmën për ekzekutimin e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.
Në të njëjtën dosje janë zbardhur komunikime që tregojnë se Behar Bajri kishte angazhuar Aleks Ndrekën dhe Prek Kodrën për të mbledhur informacion mbi vendndodhjen e Dorian Dulit dhe Genc Tafilajt. Të dhënat e siguruara i përcilleshin Bajrit përmes aplikacionit “Sky”, ndërsa ky i fundit aktivizonte një grup personash të armatosur për realizimin e atentateve.
Në një deklarim të tij, Tafilaj ka pohuar se gjatë varrimit të Indrit Rrajës është takuar me Aleks Ndrekën dhe Dorian Dulin.
Ndërkohë, nga hetimet rezulton se vetë Ndreka ka qenë objekt i disa tentativave për vrasje, përfshirë edhe metoda të sofistikuara si përdorimi i dronëve, të cilat kanë dështuar. Dyshohet se këto tentativa lidhen me konflikte të mëparshme, përfshirë edhe dyshimet për përfshirjen e tij dhe Ardian Nikulajt në futjen e Durim Bamit për ekzekutimin e Aleksandër Ndokës.
Atentati i parë ndaj tij është regjistruar më 30 qershor 2020, ndërsa i dyti në dhjetor të po atij viti, kur u qëllua me armë zjarri një automjet “Audi”, duke e lënë të plagosur. Pavarësisht këtyre ngjarjeve, ai arriti të mbijetojë.
Pas këtyre sulmeve, Ndreka u largua nga Shqipëria, duke deklaruar para grupit hetimor se nuk kishte konflikte të drejtpërdrejta me persona të caktuar. Ai u rikthye në vend më 6 mars 2022, por vetëm një ditë më pas u përball sërish me një atentat, sapo doli nga një lokal.
Po në mars 2022, ai i shpëtoi një tjetër sulmi, këtë herë falë një xhupi me pupla që i zbuti goditjen e plumbave. Pas kësaj, Ndreka u mor në pyetje nga SPAK, i cili kërkoi mbrojtje për të dhe familjen e tij.
Autoritetet vendosën shërbim 24 orë pranë banesës së tij, ndërsa janë regjistruar edhe disa tentativa të tjera për eliminimin e tij me dron. Në një rast, efektivët që patrullonin zonën konstatuan një dron dhe kërkuan përforcime, duke zbuluar një tjetër tentativë atentati.
Tentativa e fundit me dron është raportuar më 7 prill, ndërsa, pavarësisht ngritjes së një grupi hetimor, nuk janë arritur rezultate për identifikimin e autorëve apo origjinës së pajisjes.
Lini një Përgjigje