Vendimi i gjykatës për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së oficerit të policisë Novruz Cenalia ka sjellë reagim të fortë nga familja e viktimës. Babai i tij Asllan Cenalia, e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe tronditës.
“Vendimi është i papritur për mua si prind. Si punonjës policie nuk e prisja atë vendim, por shpresoj te drejtësia deri në fund", u shpreh ai për "TCH".
Me tone të ashpra, ai e konsideroi vendimin si një goditje të dytë për familjen.
“Vendimi është vrasje e dytë për mua, çfarë të them? Do vazhdojmë rrugët ligjore,” deklaroi Cenalia, duke shtuar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar drejtësi.
Ai theksoi se, pavarësisht dhimbjes, do t’i përmbahet ligjit: "Jam punonjës policie, zbatimin e ligjit. Nuk ka më të rëndë se ajo që na ndodhi, por do mundohemi ta përballojmë".
Babai i viktimës konfirmoi se vendimi do të ankimohet në instancat më të larta duke i bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
“Do ta çojmë vendimin në Gjykatën e Lartë, shpresoj që do të vihet drejtësia në vend. Ia kam lënë drejtësisë, të bëjë punën e saj", u shpreh ai.
Oficeri i policisë Novruz Cenalia u vra më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit nga Azgan Mernica, pas një konflikti për motive të dobëta. Fillimisht, autori ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por së fundmi gjykata vendosi zbutjen e dënimit në 35 vite heqje lirie.
Lini një Përgjigje