Autoritetet kanë ekstraduar nga Belgjika, Sergej Hasanpapajn, i arrestuar në kuadër të hetimeve për vrasjen e Bledar Muçës në vitin 2022. Ekstradimi u krye pas urdhër arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme.
Për të njëjtën ngjarje, në tetor të vitit 2024, autoritetet arrestuan në aeroportin e Valencias një 43 vjeçar. Sipas mediave spanjolle, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për dhënie informacioni në lidhje me krimin.
Mediat belge raportuan se i arrestuari në Spanjë është shqiptari Marsel D., i shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur më 22 janar 2022 në Aartselaar, Belgjikë.
Bledar Muça ishte përfshirë në ngjarje kriminale në Elbasan dhe njihej si mik i familjes Çapja. Hetimet për çështjen vijojnë.
"Policia e Shtetit/Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për lokalizimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit konsistent ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Bruksel, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Belgjika, në Shqipëri, të shtetasit S. H., 32 vjeç, të lindur në Elbasan.
32-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe kryer në kuadër të organizatës kriminale, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.", njofton policia.
Kush ishte Bledar Muça
Bledar Muça me origjinë nga Peshkopia, ishte lindur dhe i rritur në Elbasan. Emri i tij është i përfshirë në vrasjen e Ilir Rexhepit në Elbasan, por asnjëherë nuk u arrestua apo vuajti ndonjë dënim, pasi u arratis në Greqi dhe më pas në Belgjikë.
Më 2016 Muça u dënua me 2 vite burgim nga Gjykata e Elbasanit për goditjen me armë të dy efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale në Policisë e Shtetit, goditje kjo që është kryer gjatë detyrës së tyre, teksa po mbanin në vëzhgim situatën në lagjen e Çapjave në Elbasan. Muça u filmua nga kamerat e sigurisë edhe me armë në dorë.
Në shkurt 2016, Bledar Muça e Florenc Çapja i shpëtuan një atentati në Elbasan, ku mbetën të vrarë Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli, si dhe u plagosën 6 të tjerë, teksa po qëndronin në lokalin e tyre “Universe”. Edhe në muajin Qershor 2016, Bledar Muça dhe Florenc Çapja u bënë shënjestër e një atentati që i mbijetuan. Makina antiplumb i shpëtoi nga plumbat.
Në muajin Maj 2020, Bledar Muça aksidentoi gardianin Hekuran Pisha. Pisha po udhëtonte me motorin e tij, kur është përplasur nga makina e Bledar Muçës. 24 orë nga arrestimi, Muça është lënë sërish i lirë.
Derisa më 22 Janar 2022, u ekzekutua me breshëri automatiku brenda makinës së tij në Anverp të Belgjikës, ku dhe fshihej prej kohësh.
Lini një Përgjigje