Në përplasje u përfshinë tre automjete, mes tyre një furgon mallrash; trafiku u rëndua në të dyja kahët
Një aksident i trefishtë ka ndodhur mesditën e kësaj të mërkure në aksin rrugor Lezhë-Milot, pranë mbikalimit të Ishull-Lezhës, duke lënë të plagosur tre persona.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë tre automjete, mes të cilave edhe një furgon mallrash, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë, tre persona kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Burime bëjnë me dije se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po marrin trajtimin e nevojshëm.
Përplasja ka shkaktuar rëndim të ndjeshëm të qarkullimit në të dyja kahët e rrugës, duke krijuar radhë të gjata automjetesh në zonë. Drejtuesit e mjeteve janë përballur me vonesa deri në normalizimin gradual të situatës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, si dhe për menaxhimin dhe normalizimin e trafikut.
Lini një Përgjigje