Kleviol Ahmeti, i njohur me emrin artistik Cllevio, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.
Gjatë dëshmisë së tij, Cllevio deklaroi se ka njohje të hershme me Laert Haxhiun, pasi të dy janë rritur në të njëjtën lagje në Lushnjë, por mohoi të ketë pasur kontakte me të gjatë viteve të fundit.
Ai u pyet gjithashtu edhe për marrëdhënien me reperin Rigels Rajku, i njohur si Noizy, si dhe për shpërthimin me tritol që ka ndodhur pranë biznesit të këtij të fundit.
Cllevio tregoi se përplasja me Noizyn nisi përmes këngëve dhe mesazheve publike në rrjetet sociale, ndërsa më pas kulmoi me një incident fizik në Durrës.
“Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit as familjare, as miqësore. Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnjë, Laerti është jo më larg se 150 metra larg shtëpisë sime. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në 2007-ën kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha rrija në Lushnjë. Kur e kam njohur Laertin ka qenë pa punë. Viteve të fundit unë s’e kam takuar fare. Vij nga SHBA në 2013-ën dhe në 2014-ën bie në burg. Kam dalë në 2020 nga burgu dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në 313, 302, Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin.
Me Rigels Rajkun e kam të njohur, njohje artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, i njohur si Unikkatil.
Ne kur na shante Noizy ishim në Amerikë. Pas 15-20 viteve ia ktheva edhe unë me muzikë duke sharë Noizyn. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në 2020-ën doja të bëhesha i famshëm dhe fillova ta ngacmoja, në mënyrë artistike quhet ‘diss’. Dhe kur bëra këngën u bëra i famshëm dhe po më pëlqente.
Dhe një ditë të bukur i thashë vetes boll me diss-e dhe shkova t’i kërkoja falje. Ishte i shoqëruar atë ditë në Durrës. Kur shkova te lokali Zins në Currila parkova dhe u thashë shokëve të mos dilnin nga makina.
Kur vajta aty doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit, dhe 12 vetë. Aty më rrahën, më shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe u arrestova se isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg.
Unë e kisha njoftuar se po i shkoja te lokali dhe kisha hapur Instagramin live dhe thoja që po shkoja në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali ishte një roje, i thashë ma thirr Noizyn. Ai erdhi për 24 sekonda dhe erdhi bashkë me bandën e tij OTR. Nuk i njoh kush ishin ata që e shoqëronin Noizyn. Kur erdhi Noizy unë hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më qëlloi me grusht dhe më qëlluan 6-8 veta.
U përfshinë në sherr edhe dy shokët e mi, njërit iu thyen dhëmbët.
Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe në brinjë. Për këtë ngjarje kam dhënë deklaratë kur kam qenë në IEVP Fier. Nënën e kisha në Shqipëri, të tjerët ishin në Amerikë. Është dokumentuar me pamje filmike dhe më qëllojnë. Nuk mendova të hakmerresha ndaj Noizyt.
Lajmin për shpërthimin me tritol te lokali i Noizyt e dëgjova nga shokët e burgut. Kur shkova në sektor e mora vesh që kishte ndodhur shpërthimi pas disa ditëve. Pastaj më thërret një oficer policie në Durrës dhe më thotë se ka një hetim për shpërthimin me tritol.
Unë i thashë se nuk e di kush ia ka vendosur tritolin, sepse isha në burg. E mendova me vete kush mund ta ketë bërë, e mendova se mund ta kishte bërë BABA. Nuk më ka ardhur asnjë llaf që Laerti ta ketë bërë këtë gjë. Marjus Taganin nuk e njoh fare. Nuk pajtohemi me Rigelsin", tha Klevio në dëshminë e tij.
Lini një Përgjigje