Gjykata e Durrësit ka vendosur këtë të mërkurë masën e sigurisë “Arrest në burg” për 27-vjeçarin Meklajd Meçaj, i cili akuzohet për vrasjen me thikë të fqinjit të tij, Rrapush Memolla, 60 vjeç.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në lagjen Mollaj të Rrogozhinës. Gjatë seancës gjyqësore, Meçaj u paraqit i qetë dhe me dorën e fashuar, pasi edhe vetë mbeti i plagosur gjatë përplasjes me viktimën.
Sipas hetimeve paraprake, krimi ndodhi pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Para trupit gjykues, i riu ka deklaruar se nuk kishte pasur qëllim të vriste 60-vjeçarin, duke pretenduar se ishte goditur i pari me thikë dhe se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Ai ka shpjeguar se viktima kishte ndaluar automjetin pranë banesës së tij dhe e kishte provokuar me dritat e gjata të makinës. Sipas tij, konflikti nuk ishte personal, por lidhej me mosmarrëveshje që viktima kishte pasur me një kushëri të tij.
“Në atë ngjarje kam qenë unë dhe viktima. Ai më ka goditur i pari dhe unë kam mbrojtur veten time. Nuk kam dash ta vras. Edhe mua më vjen keq, unë nuk jam vrasës…”, tha ai.
I pyetur nga gjyqtari nëse kishte pasur konflikte personale me Rrapush Memollën, 27-vjeçari e mohoi një gjë të tillë.
“Jo, unë personalisht me atë personin… po kushëriri im ka pasur konflikte. Jo me mua, me mua asgjë, unë kurrë s’kam folur me atë.”, u shpreh ai.
Nga verifikimet rezulton se Meçaj ka qenë i dënuar më parë në Gjermani. Në përfundim të seancës, Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur lënien e tij në burg deri në përfundimin e hetimeve.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 21:50 të së shtunës së kaluar në lagjen Mollaj të Rrogozhinës. Sipas policisë, pas një konflikti të çastit, Meklajd Meçaj goditi me thikë 60-vjeçarin Rrapush Memolla, i cili humbi jetën gjatë transportimit drejt spitalit për shkak të plagëve të marra.
Edhe autori mbeti i plagosur lehtë në dorë, plagë që dyshohet se iu shkaktua nga viktima gjatë përleshjes. Ai u arrestua nga policia pak minuta pas ngjarjes.
Lini një Përgjigje