Sulmuesi i kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, është shprehur i gatshëm për sfidën e 1/16-ve të finales së Botërorit ndaj Austrisë, e cila do të zhvillohet nesër në orën 21:00.
Në një intervistë për Cadena COPE, talenti i Barcelonës tha se ka lënë pas problemet fizike dhe ndodhet pranë formës së tij më të mirë, duke theksuar se është në gjendje të luajë gjatë gjithë ndeshjes.
“Jam shumë mirë, me shumë dëshirë dhe entuziazëm. Jam rreth 80–90% i gatshëm dhe gati për 90 minuta kundër Austrisë”, u shpreh Yamal.
18-vjeçari u shfaq optimist edhe për rrugëtimin e Spanjës në turne, duke deklaruar se skuadra ka potencialin për të ngritur trofeun.
“Jemi plot shpresë dhe besoj se do ta fitojmë Botërorin”, tha ai.
Yamal komentoi gjithashtu kritikat që kanë shoqëruar paraqitjet e Spanjës në këtë Botëror, duke nënvizuar se rezultati mbetet objektivi kryesor, edhe pse skuadra ka ende hapësirë për përmirësim.
“E rëndësishme është të fitosh. Sigurisht duhet të luajmë mirë, por nëse luan mirë dhe humb, të gjithë largohen të trishtuar. Mund të përmirësohemi, sepse jemi shumë më mirë se niveli që kemi treguar deri tani.”, tha ai.
Duke folur për përgjegjësitë që mban në fushë, Yamal tha se nuk e ndjen presionin dhe se është i gatshëm të marrë përsipër rolin e liderit në momentet vendimtare.
“Nuk e ndjej presionin. Jam ‘numri 10’ i Barcelonës, mund ta ndryshoj ndeshjen në çdo moment. Presioni është problem vetëm kur nuk mund të bësh atë që kërkohet.”, u shpreh ylli i Barcelonës.
Në fund, sulmuesi spanjoll foli edhe për rivalët e mundshëm në garën për titull, duke u shprehur i bindur se Spanja mund të përballet me çdo kundërshtar.
“Nuk shoh asnjë kombëtare të pamundur për t’u mposhtur. As Franca nuk është më e fortë se ne. Nuk na kanë mundur që nga Europiani. Në ndeshje eliminimi gjithçka ndryshon. Mendoj se do ta fitojmë Botërorin”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje