TAGS-AT E JAVËS

Forum 1 Korrik 2026, 13:07

Një pullë postare për miqësi të përhershme

Shkruar nga Prof. dr. Skënder ASANI
Një pullë postare për miqësi të përhershme
Një pullë postare për miqësi të përhershme

Një pullë e vogël në përmasa, por me një mesazh të madh për historinë: se aleancat e ndërtuara mbi lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektin e ndërsjellë janë ato që i rezistojnë kohës dhe u japin kuptim proceseve të konsolidimit të shtetësisë dhe të ardhmes së kombeve.

Emetimi i pullës postare kushtuar 250-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë shtetërore, historike dhe diplomatike për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk është thjesht nxjerrja në qarkullim e një vlere të re filatelike, por një akt i vetëdijshëm institucional, përmes të cilit shteti ynë nderon një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne dhe njëkohësisht riafirmon partneritetin e tij strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rëndësia e veçantë institucionale e këtij projekti dëshmohet nga fakti se kjo pullë përkujtimore u realizua me propozimin e Qendrës për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore dhe falë angazhimit të jashtëzakonshëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Postës së Maqedonisë së Veriut, z. Orhan Kurtishi, i cili mundësoi emetimin e saj në një afat rekord. Ky është një shembull se si institucionet shtetërore, përmes kulturës dhe kujtesës historike, mund të ndërtojnë ura të reja mirëkuptimi dhe miqësie ndërmjet kombeve.

Përgjatë historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, pullat postare kanë qenë më shumë se mjete komunikimi. Ato janë dokumente të kohës së tyre, ambasadore të kujtesës kolektive dhe bartëse të mesazheve politike e kulturore të shteteve. Përmes filatelisë, çdo vend zgjedh se cilat ngjarje, personalitete dhe vlera dëshiron t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. Për këtë arsye, emetimi i kësaj pulle duhet të shihet si pjesë e diplomacisë së kujtesës dhe si një gjest simbolik i miqësisë së qëndrueshme ndërmjet dy vendeve tona.

Dyqind e pesëdhjetë vjet më parë, etërit themelues të Amerikës krijuan jo vetëm një shtet të ri, por edhe një doktrinë të re politike, e cila do ta transformonte historinë moderne: se liria, sovraniteti dhe e drejta e popujve për vetëqeverisje janë themelet mbi të cilat ndërtohen shtetet e lira. Kjo ide politike, e lindur më 4 korrik 1776, do të frymëzonte breza të tërë popujsh dhe do të ndikonte fuqishëm në krijimin e një rendi të ri ndërkombëtar.

Në fillim të shekullit XX, Presidenti amerikan Woodrow Wilson e shndërroi këtë ideal në një doktrinë universale. Pas Luftës së Parë Botërore, ai shpalli parimin e së drejtës së kombeve për vetëvendosje, duke u dhënë popujve të vegjël legjitimitetin moral dhe politik për të krijuar shtetet e tyre dhe për t’iu bashkuar bashkësisë së kombeve të lira. Në këtë kuptim, edhe shtetësia e sotme e Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të shihet si pjesë e trashëgimisë së këtij vizioni historik, i cili ndryshoi përgjithmonë hartën politike të Evropës dhe vendosi parime të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Prandaj, emetimi i kësaj pulle përkujtimore bart një simbolikë të shumëfishtë. Ai është një nderim për jubileun e madh amerikan, por njëkohësisht edhe një konfirmim i përkushtimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj idealeve që mishërojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës: lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.

Kjo pullë është gjithashtu një dëshmi e konsolidimit institucional të aleancës strategjike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona nuk janë rezultat i rrethanave të përkohshme politike, por fryt i një partneriteti të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Mbështetja amerikane për proceset demokratike dhe integrimin euroatlantik të vendit tonë ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të konsolidimit të shtetësisë dhe të zhvillimit institucional të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë frymë duhet parë edhe përpjekja për krijimin e një binjakëzimi ndërmjet qytetit të Staunton, vendlindjes së Presidentit Wilson, dhe Shkupi, qytetit të lindjes së Mother Teresa. Po ashtu, salla që mban emrin e Presidentit Wilson dhe busti i tij para Komunës së Çairit përfaqësojnë shenja konkrete të një kujtese institucionale, e cila i jep një dimension të përhershëm dhe një thellësi historike miqësisë ndërmjet dy vendeve tona.

Emetimi i kësaj pulle postare përcjell një mesazh të qartë në një periudhë sfidash të reja gjeopolitike, në një kohë kur rendi ndërkombëtar po përballet me pasiguri dhe tensione të shumta: Republika e Maqedonisë së Veriut e sheh të ardhmen e saj në aleancë me botën demokratike, me NATO-n, me Unionin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin e saj më të rëndësishëm strategjik.

Prandaj, kjo pullë postare është shumë më tepër sesa një objekt filatelik. Ajo është një dokument i kohës sonë, një shprehje e mirënjohjes historike dhe një simbol i një miqësie që është bërë pjesë e identitetit ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Një pullë e vogël në përmasa, por me një mesazh të madh për historinë: se aleancat e ndërtuara mbi lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektin e ndërsjellë janë ato që i rezistojnë kohës dhe u japin kuptim proceseve të konsolidimit të shtetësisë dhe të ardhmes së kombeve.

një pullë postare për miqësi të përhershme

Lini një Përgjigje