TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Shkurt 2026, 08:38

Atentati në Lezhë, policia zbarkon në klinikat private; dyshohet se është plagosur edhe shënjestra

Shkruar nga Pamfleti
Atentati në Lezhë, policia zbarkon në klinikat private; dyshohet
Vendi ku ndodhi ngjarja

Policia ka intensifikuar kontrollet në klinika dhe spitale private pas atentatit me armë zjarri të regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur një 30-vjeçar.

Hetuesit dyshojnë se edhe objektivi i vërtetë i sulmit mund të ketë marrë plagë gjatë ngjarjes dhe po kërkon ndihmë mjekësore në mënyrë të fshehtë.

Ngjarja ndodhi brenda një berberhane, në pronësi të Sokol Dacit, i njohur në zonë edhe si “Berber Coli”. Ai u qëllua me armë zjarri dhe u transportua menjëherë drejt Spitalit të Traumës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas burimeve hetimore, në momentin e atentatit brenda ambientit ndodheshin disa persona të tjerë, përfshirë një punonjës policie dhe një anëtar të fisit Nikulaj. Dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri, ndërsa hetimet paraprake sugjerojnë se pronari i berberhanes nuk ka qenë shënjestra kryesore e sulmit.

Grupi hetimor po punon me pistën se autorët kanë qenë më shumë se një person. Dyshohet se të paktën njëri prej tyre ka zbritur nga automjeti dhe ka qëlluar me breshëri arme automatike drejt lokalit, përpara se të largohej nga vendngjarja.

Në kuadër të hetimeve, Policia po ushtron kontrolle në struktura private shëndetësore në Lezhë dhe zona përreth, për të verifikuar nëse ndonjë person me plagë nga armë zjarri ka kërkuar trajtim mjekësor, çka do të forconte dyshimet se edhe shënjestra e atentatit është plagosur gjatë sulmit.

Sokol Daci nuk rezulton person me precedentë penalë dhe njihet në komunitet si një qytetar pa probleme me ligjin. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

Si ndodhi plagosja? 

Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Lezhë, në zonën e njohur si kryqëzimi i Rrilës. I plagosur ka mbetur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes ku ka ndodhur ngjarja. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ka qenë objektivi i atentatit, por është goditur aksidentalisht nga plumbat teksa ndodhej brenda ambientit të punës së tij, ku bashkë me të ndodheshin edhe persona të tjerë brenda në berberhane.

Autorët kanë mbërritur me një automjet tip Audi A3 përballë berberhanes. Tre persona kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt berberhanes, ku dyshohet se ndodhej objektivi i atentatit, një person tjetër që ishte brenda në atë moment.

Më pas, ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë zjarri, ndërsa personi që ishte shënjestër e atentatit është larguar.

Ndërkohë i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar. Ai ka marrë tre plagë, në shpatull, në bark dhe në këmbë.

 

atentati në lezhë policia zbarkon në klinikat private

Lini një Përgjigje