Markelian Hoti dyshohet për rol kyç në një organizatë që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës
Një 27-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim në gjithë Europën për trafik ndërkombëtar kokaine, është arrestuar në Romë. Bëhet fjalë për Markelian Hotin, i cili sipas raportimeve është vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti.
Arrestimi u krye në zonën Ponte di Nona, në periferinë lindore të kryeqytetit italian, ku i riu ishte strehuar në një hotel së bashku me të dashurën.
Hetimet
Sipas autoriteteve, 27-vjeçari dyshohet se kishte një rol kyç në një organizatë kriminale që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Droga, sipas hetimeve, mbërrinte fillimisht në portin e Anversës në Belgjikë dhe më pas transportohej me makina luksoze nga Europa Veriore drejt Dubait.
Hetimi mori zhvillim pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehura në kontejnerë në portin e Anversës. Pas këtij operacioni, Hoti rezultonte i zhdukur. Në muajin janar ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest europian për veprën penale “organizatë kriminale për trafik narkotikësh”, e cila sipas legjislacionit përkatës parashikon deri në 15 vite burg.
Si u bë i mundur arrestimi?
Arrestimi u realizua pas një hetimi të koordinuar nga Interpol dhe skuadra e antidrogës në Romë. Mediat italiane raportojnë se Hoti kishte qëndruar “në hije”, pasi pronari i hotelit ku ai ishte akomoduar nuk kishte regjistruar të dhënat e tij në sistemin “Alloggiati Web”, platformë që përdoret nga strukturat akomoduese në Itali për raportimin e të dhënave të klientëve tek autoritetet.
Mosregjistrimi në sistem e kishte bërë atë praktikisht të padukshëm për një periudhë kohore për organet ligjzbatuese.
Pritet ekstradimi në Belgjikë
Pas verifikimit të identitetit, 27-vjeçari është dërguar në burg, ku do të qëndrojë në pritje të përfundimit të procedurave për ekstradimin drejt Belgjikës, vendi që ka lëshuar urdhër-arrestin europian.
Deri në këto momente nuk ka një reagim publik nga deputetja Elda Hoti lidhur me arrestimin e të vëllait.
Njesoj si vellai I ministrit te drejtesise Fatmir Xhafa
Morali i se shkuares nuk zhduket lehte. E'dreqin ka lidhje farefisi e sorrollopi me personin e vecante. Si nuk hoqet dore nga "biografia". He merrini e iternoni te afermit e familjen per gabimet, fajet e krimet e personit si ne kohen e qepes. Nuk kam preferenca politike por keto jane gerricje qe me shume gudulisin se gervishtin ne kohen qe jetojme.