Mesnatën e së hënës plumbat i morën jetën 29-vjeçarit Ramazan Sino, kunatit të Gentjan Bejtjas. Atentatorët që dyshohet se ishin 3 kishin në shënjestër Bejtjan, një emër i njohur për krimin.
Në ngjarje mbetën të plagosur edhe dy djemtë e mitur të Bejtjas, njëri me plagë të lehta e tjetri në gjendje kritike për jetën.
Gentjan Bejtja nuk është paraqitur për të parë nga afër fëmijët e tij dhe nuk është gjendur nga prokuroria. Ai është një personazh me shumë dritëhije i botës së krimit. Bejtja ka qenë mik i ngushtë me Enver Stafukën i cili tashmë është i zhdukur, personi që kontaktoi i fundit me biznesmenin e vrarë të kromit Iljaz Calit.
Kjo ngjarje dëshmoi së pari që kundërshtarët e Gentjan Bejtjas janë të interesuar ta eliminojnë me çdo kusht, pasi nuk kursyen as fëmijët e mitur dhe ekzekutuan një person që nuk kishte asnjë lidhje me ngjarje kriminale në vend. Në vendin e ngjarjes janë gjetur nga grupi hetimor 24 gëzhoja.
Kjo ngjarje sipas hetuesve duhet të hetohet me shumë ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në aksin Fushë-Krujë Lezhë pasi mund të hidhet dritë dhe mbi ngjarje të tjera të shumta kriminale. Gentjan Bejtjas mund t’i ofrohet dhe statusi i të penduarit nga drejtësia.
Ngjarjet që dyshohet se është përfshirë Gentian Bejtja
Në shtator të vitit 2016 në mjetin e Bejtjas Tuareg shpërtheu një lëndë eksplozive që vetëm e plagosi ndërsa në janar të vitit të kaluar ai u tentua të eliminohej me armë zjarri teksa ishte në makinë me Klodian Stafukën por mbeti i plagosur vetëm në dorë.
Emri i Gentjan Bejtës rezulton në regjistrat e policisë i implikuar në disa ngjarje kriminale nga shkatërrimi i pronës deri te krimet ndaj personit. Ngjarja me e rëndë për të cilën ai u vu në pranga ishte për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt pasi u akuzua se kishte siguruar makinën e përdorur në vrasje. Ai është pyetur dhe si person që ka dijeni edhe për ngjarje të tjera si vrasja e Ilvi Canit në autostradë, atentati ndaj Mariglen Hakës si dhe vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë Krujës korrikun e vitit te shkuar.
Për zbardhjen e sulmit në shtëpinë e tij policia ka ushtruar kontroll në banesat e personave me precedent në zonë por deri më tani nuk janë gjetur të dhëna të vlefshme.
Në polici u shoqëruan dje dy vëllezërit Bami dhe Marklen Haka. Asnjëri prej tyre nuk zbuloi asgjë që ndihmon zbardhjen e ngjarjes.
Lini një Përgjigje