TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Shkurt 2026, 12:52

Furnizonin Anglinë me kokainë, dënohen me burg 4 shqiptarë; tjetri ekstradohet drejt vendit tonë

Shkruar nga Pamfleti
Furnizonin Anglinë me kokainë, dënohen me burg 4 shqiptarë;
Furnizonin Anglinë me kokainë, dënohen me burg 4 shqiptarë; tjetri ekstardohet drejt vendit tonë

Katër shqiptarë janë dënuar me burg nga autoritetet britanike për përfshirje në trafikim të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, në zonën e Cumbria Jugore, pranë kufirit mes Anglisë dhe Skocisë.

Sipas mediave britanike, katër persona u shpallën fajtorë pas hetimeve, ndërsa një i pestë ishte dënuar më herët dhe, pas përfundimit të dënimit, është ekstraduar në Shqipëri.

Të dënuarit janë:

Erald Sulaj, 22 vjeç, nga Dacre Gardens, Boreham Wood – 33 muaj burg
Ergys Elezi, 22 vjeç, pa adresë fikse – 30 muaj burg
Sokratis Lleshaj, 21 vjeç, nga Rawlinson Street, Barrow – 24 muaj burg
Perlat Hamza, 36 vjeç, nga Rawlinson Street, Barrow – 32 muaj burg

Ndërkohë, Egzon Doci, 31 vjeç, nga Roxeth Hill, Harrow, ishte dënuar më herët me dy vjet e tre muaj burg, pasi pranoi akuzën për posedim të kokainës me qëllim furnizimin. Pas vuajtjes së dënimit, ai është deportuar në Shqipëri.

Hetimi për këtë rrjet nisi më 14 mars, kur policia në Barrow-in-Furness konstatoi dy persona që po silleshin në mënyrë të dyshimtë në zonën e Storey Square. Gjatë ndërhyrjes, Egzon Doci tentoi të largohej me vrap dhe, sipas një dëshmitari, hodhi një send mbi çatinë e një ndërtese. Policia gjeti një çorape që përmbante mbështjellëse me kokainë. Kontrolli i mëvonshëm në banesën e tij në Rawlinson Street çoi në sekuestrimin e sasive të tjera të drogës, rreth 1,000 paund para të gatshme dhe materiale për paketimin e lëndës narkotike.

Arrestime të tjera u kryen më 1 maj 2025 në Barrow, kur policia ndaloi një automjet Peugeot 208 në Devonshire Road, pas drejtimit të dyshimtë. Shoferi, Sokratis Lleshaj, rezultoi pozitiv për kokainë dhe kanabis, ndërsa në automjet u gjetën qese me kokainë. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet edhe Perlat Hamza. Në apartament policia sekuestroi 34 qese të vulosura me kokainë, përfshirë 16 të fshehura në një çorape nën dyshek, si dhe shuma të konsiderueshme parash të gatshme.

Hetimet u shtrinë edhe në shkallë kombëtare. Më 21 korrik 2025, Erald Sulaj dhe Ergys Elezi u ndaluan nga policia në autostradën M1, në Northamptonshire, të dyshuar si pjesë e të njëjtit rrjet furnizimi me drogë që vepronte në Cumbria Jugore. Një kontroll në një adresë të lidhur me ta në Kingston-upon-Thames, Londër, zbuloi rreth 3 kilogramë kokainë, me vlerë deri në 9,000 paund, si dhe mbi 20,000 paund para të gatshme.

Autoritetet britanike bëjnë me dije se hetimi çoi në goditjen e një rrjeti të organizuar të shpërndarjes së drogës, ndërsa theksojnë se operacione të ngjashme do të vijojnë edhe në zona të tjera të vendit.

angli kokaine 4 shqiptare

Lini një Përgjigje