Një ngjarje e rëndë ka tronditur Rrëshenin paraditen e sotme, ku një person është vrarë me armë zjarri pranë komisariatit.
Drejtori i policisë së Lezhës, Alfred Elezi ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë në Rrëshen, ku mbeti i vrarë Martin Bardhi dhe u plagosën tre të tjerë.
Sipas Elezit, viktima ka qenë në tavolinë në lokalin e tij, së bashku me tre personat që kanë mbetur të plagosur.
Të plagosurit janë identifikuar si Ilir Bardhoku, ish-drejtor në bashkinë e Mirditës dhe Olti Gjini pronar i lokal picerisë aty pranë, si dhe Indrit Bardhi.
“Në lokalin e tij është vrarë me armë zjarri shtetasi Martin Bardhi dhe janë plagosur tre të tjerë, që kanë qenë në tavolinë me të. Autorët e ngjarjes janë dy persona të maskuar me fuoristradë, e cila pak pas ngjarjes, është djegur në fshatin Gëziq. Shërbimet tona kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ku është djegur mjeti. Po kontrollohet territori nga të gjitha forcat, RENEA, të ndërhyrjes së shpejtë po kontrollojnë territorin dhe të gjitha drejtoritë e tjera kanë ngritur pika të shumta kontrolli për kapjen e autorit.”, theksoi Elezi në një prononcim për mediat.
Nga informacionet e para, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për hasmëri. 60-vjeçari kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu për një ngjarje të ndodhur disa muaj më parë, ku së bashku me të birin Enrik Bardhi, tentuan që të vrisnin në mes të qytetit të Rrëshenit Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit.
Ndërkohë, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.
Si ndodhi ngjarja më 26 mars të këtij viti?
Fillimisht dy të rinjtë Enrik Bardhi dhe Saimir Reçi janë konfliktuar fizikisht e më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe ka marrë armën për ta qëlluar bashkëmoshatarin e tij. Bashkë me Enrikun, ka shkuar edhe i ati, Martin Bardhi të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar të Saimir Reçit, i cili si pasojë e të shtënave, humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës.
Para përplasjes me armë, dy të rinjtë janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin për parakalimin me makine në rrugën kryesore të qytetit. Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes shpalli në kërkim baba e bir Enrik dhe Martin Bardhaj. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në 2020.
Lini një Përgjigje