
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Rrëshenin paraditen e sotme, ku një person është vrarë me armë zjarri në qendër të qytetit.
Policia e Lezhës ka reaguar zyrtarisht, duke njoftuar se ka ngritur pika kontrolli për të arrestuar autorët e vrasjes së Martin Bardhit.
Viktima kishte dalë nga burgu vetëm pak kohë më parë, pasi ishte dënuar për pjesëmarrjen në atentat ndaj nipit të Kastriot Reçit. Bardhi është qëlluar me breshëri kallashanikovi ndërsa ndodhej mes njerëzve
Vrasja ka ndodhur pranë spitalit të qytetit të Rrëshenit, shumë pranë ambienteve të komisariatit të policisë së qytetit.
Mësohet se autorët, ende të paidentifikuar janë larguar nga vendngjarja me një automjet fuoristradë, tip ‘Jeep’, në drejtim ende të paditur.
"Rreth orës 10:40, në Rrëshen, nga shtetas ende të paidentifikuar, është vrarë me armë zjarri shtetasi M. M. (B.).
Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës.
Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.", njofton policia.
Si ndodhi ngjarja më 26 mars të këtij viti?
Fillimisht dy të rinjtë Enrik Bardhi dhe Saimir Reçi janë konfliktuar fizikisht e më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe ka marrë armën për ta qëlluar bashkëmoshatarin e tij. Bashkë me Enrikun, ka shkuar edhe i ati, Martin Bardhi të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar të Saimir Reçit, i cili si pasojë e të shtënave, humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës.
Para përplasjes me armë, dy të rinjtë janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin për parakalimin me makine në rrugën kryesore të qytetit. Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes shpalli në kërkim baba e bir Enrik dhe Martin Bardhaj. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në 2020.
Lini një Përgjigje