
Prokuroria e Posaçme dyshon se për vrasjen e Elis Roshkodolit kryer një vit më parë, është angazhuar një grup kriminal, për të marrë hak lidhur me ngjarje të ndodhura jashtë vendit, prej nga ku viktima ishte kthyer prej një viti.
Deri më tani për atentatin që i mori jetën të riut kanë përfunduar në burg Voltan Xhani dhe kushëriri i tij që punonte në servisin e marrë me qira, ndërsa në kërkim mbetet ende Dritan Milani, i cili dyshohet se ka qenë në shënjestër të një atentati të mëparshëm ku dhe ka mbetur i plagosur i vëllai Olger Stolaj.
Prokuroria ka rindërtuar skenën e krimit, duke thënë se i riu po pinte kafe me një shokë ditën kur u qëllua për vdekje nga një person që kishte vendosur një maskë Covidi. Vrasësi mbërriti në vendngjarje me një mjet që i kishte vendosur targa të vjedhura në Malin e Zi dhe rrugës targat u ndryshuan me të tjera që ishin denoncuar si të humbura nga një shtetas gjerman i hetuar në vendin e tij për skema mashtruese të. Nga këqyrja e dhjetëra kamerave të sigurisë deri në një servis të marrë me qira prokurorët kanë bindjen se dyert e hapura të mjetit që po prisnin vrasësin tregojnë se atë po e prisnin dy ndihmës.
Dëshmitarët e shumtë tregojnë se i riu që kishte humbur të atin vite më parë dhe të vëllain në një aksident automobilistik, po bëhej gati të largohej sërish nga Shqipëria. Një dëshmitar tregoi për grupin e hetimit se Elis Roshkodoli i kishte shitur makinën duke i treguar se do ikte nga vendi.
Ndërkohë e ëma pasi ka treguar fatkeqësitë e tjera familjare, ka shtuar emrat e shokëve të djalit të vetëm me të cilët ai qëndronte prej kthimit nga Belgjika, disa prej të cilëve ishin nga Elbasani.
“Elisi ishte djali i vetëm që kisha gjallë. Doli për kafe, nuk më ka shprehur ndonjë shqetësim. Shoqëria e tij ishte nga Elbasani dhe Korça, por edhe nga Shkodra. Po bënte pasaportën e re se do largohej nga vendi”, dëshmon e ëma e cila i ka vendosur në dispozicion prokurorëve edhe numrat e telefonit të shokëve të të birit./TCH
Lini një Përgjigje