Një ngjarje e rëndë është shënuar në hyrje të tunelit të Elbasanit, pasi dy vëllezër nga Librazhdi kanë terrorizuar një prokuror të SPAK dhe një hetues të Byrosë së Hetimit.
Pak ditë më parë në Elbasan shkuan prokurori i SPAK Behar Dibra dhe një oficer i BKH, për të hetuar atentatin e dështuar në Elbasan, për të cilin u arrestuan Arben Spahiu dhe Arsen Preçi.
Por ata janë përballur me një ngjarje të pazakontë. Teksa prokurori Dibra dhe oficeri i BKH po largoheshin me një fuoristradë tip “Hyndai”, e drejtuar nga shoferi, ata janë përballur me një automjet në të cilin lëviznin Orges Sina dhe Emirjan Sina, konkretisht 24 e 27 vjeç, lindur në Librazhd e banues në Durrës.
Konkretisht, në hyrje të tunelit, njëri prej personave ka fotografuar mjetin e prokurorit dhe OPGJ, por të njëjtën gjë kanë bërë dhe këta të fundit. Më pas dy të rinjtë i kanë prerë rrugën makinës ku udhëtonte prokurori i SPAK dhe ka nisur një konflikt verbal mes tyre, i cili për pak ka degraduar deri në sherr fizik. Njëri nga të rinjtë pretendonte se ishte polic, por prokurori Dibra më pas ka nxjerrë dokumentin që ishte anëtarë i SPAK dhe kjo ka bërë që dy vëllezërit të largohen. Por përfaqësuesit e SPAK dhe BKH kanë informuar policinë dhe më pas janë arrestuar Orges Sina dhe Emirjan Sina. Sot ata dolën para gjykatës, ku i njohën me masën e sigurisë arrest me burg.
Sa i takon atentatit të dështuar në Elbasan, Arben Spahiu dhe Arsen Preçi, kanë dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ata akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, “Falsifikimi i dokumenteve” si dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Sipas burimeve, të akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues përballë hetuesve. Ata nuk kanë pranuar të kenë lidhje me mjetin luksoz tip “BMV X6” që u gjet në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, brenda të cilit u zbuluan tre armë kallashnikov, 2 bidonë me benzinë, por dhe për çantën ku u gjet pistoleta.
53-vjeçari, Arben Spahiu, ka pohuar se nuk ka dijeni për mjetin dhe armët. Ndërsa në lidhje me dokumentet e falsifikuara greke me fotografinë e tij, që u gjetën në afërsi të një koshi plehrash, Spahiu ka thënë se ato mund të jenë sajuar nga dikush që ka dashur t’i bëjë keq.
Lini një Përgjigje