Një 19-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në një kantier ndërtimi në Londër, pasi ra nga një lartësi prej gjashtë katesh, një ngjarje që autoritetet britanike e kanë cilësuar si të shmangshme.
Viktima është Renols Lleshi, i cili punonte në katin e 12-të të një ndërtese në zonën Acton, në perëndim të kryeqytetit britanik. Ngjarja ndodhi në korrik të vitit 2023, teksa ai ishte duke ndihmuar në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë.
Sipas hetimeve, i riu ka shkelur mbi një mbulesë ventilimi që nuk ishte e sigurt, duke rënë në hapësirë bosh nga gjashtë kate dhe duke ndërruar jetë në vend.
Autoritetet për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE) zbuluan se hapësira ishte mbuluar vetëm me karton gipsi dhe shkumë çatie, materiale të papërshtatshme për të garantuar mbrojtjen e punëtorëve.
Gjithashtu, u konstatua se zona e kopshtit në çati nuk ishte përfshirë në kontrollet rutinë të sigurisë, çka bëri që rreziku të mos identifikohej në kohë.
“Rëniet nga lartësia janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në vendin e punës. Ky ishte një incident plotësisht i shmangshëm që i mori jetën një të riu”, deklaroi inspektorja e HSE, Natalie Prince sipas The Sun.
Ndërkohë, familja e viktimës është shprehur e tronditur nga humbja, duke theksuar se fakti që ngjarja mund të ishte parandaluar e rëndon edhe më shumë dhimbjen.
“Jemi të shkatërruar nga humbja e Renolsit. Të dish se vdekja e tij mund të ishte parandaluar e bën gjithçka edhe më të rëndë për ne”, u shpreh babai i tij.
Kompania e ndërtimit “Jerram Falkus Construction Limited” ka pranuar përgjegjësinë për shkeljen e rregullave të sigurisë në punë në lartësi dhe është gjobitur me mbi 42 mijë paund, si dhe është detyruar të mbulojë edhe kostot gjyqësore dhe penalitete shtesë.
Sipas raportimeve, kompania ka ndërprerë aktivitetin muajin e kaluar dhe ndodhet aktualisht në proces administrimi.
Lini një Përgjigje