TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Mars 2026, 13:03

Pagoi 10 mijë euro për të shkuar në Angli, shqiptari kapet në 'shtëpi bari' me vlerë 100 mijë paund

Shkruar nga Pamfleti
Pagoi 10 mijë euro për të shkuar në Angli, shqiptari kapet
Shqiptari i arrestuar, Argjent Dedja

Një 24-vjeçar shqiptar ka përfunduar në burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u kap në një "shtëpi bari" me një vlerë rreth 100 mijë paund.

Argjent Dedja u dënua me 12 muaj burg nga një gjykatë në South Cumbria, për përfshirje në prodhimin e lëndëve narkotike në një banesë në zonën e Barrow.

Sipas autoriteteve britanike, ai ishte pjesë e një aktiviteti të organizuar në shkallë të gjerë. Në banesën me katër dhoma u zbuluan 196 bimë kanabisi, rreth 100 prej tyre të pjekura, ndërsa ambienti ishte përshtatur plotësisht për këtë veprimtari, me sistem ventilimi, ndriçim të posaçëm dhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Dritaret ishin mbuluar për të mos u dalluar nga jashtë.

Ndërhyrja e policisë çoi në kapjen e të riut, i cili u gjet duke u larguar nga banesa gjysmë i zhveshur, në drejtim të një shkolle fillore aty pranë.

Gjatë hetimeve, Dedja deklaroi se kishte mbërritur në Barrow nga Londra vetëm një ditë para arrestimit dhe mohoi dijeninë për aktivitetin e paligjshëm, duke pretenduar se kishte akses vetëm në dhomën e tij, kuzhinë dhe banjo.

Megjithatë, ai pranoi se kishte hyrë ilegalisht në Britani, pasi kishte paguar 10 mijë euro për udhëtimin nga Shqipëria, përmes Italisë dhe Francës, deri në Mbretërinë e Bashkuar me gomone.

Prokuroria vlerësoi se roli i tij ishte i kufizuar, por pjesë e një skeme të organizuar për prodhimin e drogës me qëllim përfitimi financiar.

Nga ana tjetër, mbrojtja theksoi se 24-vjeçari nuk kishte precedentë penalë dhe kishte qëndruar vetëm një ditë në banesë.

Pavarësisht këtyre argumenteve, gjykata vendosi dënim me burg të menjëhershëm, duke argumentuar se ekziston rreziku i përfshirjes së tij në aktivitete të ngjashme në të ardhmen.

Përveç dënimit, ai është urdhëruar të paguajë 400 paund kosto gjyqësore dhe 187 paund shtesë, ndërsa policia konfirmoi se kanabisi dhe pajisjet e sekuestruara do të konfiskohen dhe asgjësohen.

Rasti shihet si një tjetër tregues i përfshirjes së shtetasve shqiptarë në kultivimin e kanabisit në Britani, shpesh në kuadër të rrjeteve kriminale dhe detyrimeve ndaj tyre.

Lini një Përgjigje