TAGS-AT E JAVËS

Kronike 8 Janar 2025, 11:03

'Baroni' i drogës, Dritan Rexhepi ekstradohet sot nga Turqia

Shkruar nga Pamfleti

'Baroni' i drogës, Dritan Rexhepi ekstradohet sot nga Turqia

Mbreti shqiptar i kokainës, Dritan Rexhepi pritet që të ekstradohet nga Turqia në vendin tonë ditën e sotme

I shumëkërkuari Dritan Rexhepi do të ekstradohet sot nga Turqia në Shqipëri.

Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit bën me dije se ekstradimi do të kryhet, si rezultat i rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi.

Rexhepi, i cilësuar si kreu i kartelit të drogës me emrin ‘Kompania Bello’, kërkohej nga Italia dhe Shqipëria nën akuzën se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Po ashtu ai akuzohet se ka urdhëruar marrjen peng dhe vrasjen e Jan Prengës.

Siç raportuan mediat turke në atë kohë, Rexhepi kishte hyrë në Turqi me pasaportë false kolumbiane, ndërsa u kap më 10 nëntor gjatë një operacioni në Stamboll.

"Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, pritet që ditën e sotme, të ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.

Ora e mbërritjes së këtij shtetasi do t’ju njoftohet në vijim, ndërsa informacioni i detajuar për të, bashkëlidhur me pamje filmike, do t’ju vihet në dispozicion pas mbërritjes së tij në Rinas", thuhet në njoftimin e policisë.

Kush është Dritan Rexhepi?

Rexhepi është regjistruar me emrat Ioannis Dionysopoulos (emër grek) dhe me Lulzim Murataj (emër shqiptar) e Gramoz Rexhepi (emër shqiptar). Për shqiptarin ka tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol, pasi ai ka tre arratisje të regjistruara: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.

Dritan Rexhepi rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim në Shqipëri, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Por pavarësisht këtij dënimi, është arritur të mësohet se në vitin 2013, ai ka hyrë në territorin shqiptar me emrin Lulzim Murataj e nuk është pikasur nga autoritetet.

Fillimisht, ai është arrestuar në 2007 në ambientet e “Hotel Tirana” së bashku me Nadien Zeneli. Pas arrestimit është transferuar në Durrës, pasi oficerët e Drejtorisë së Policisë Durrës kishin kryer të gjithë operacionin për zbulimin dhe prangosjen e tij. Këtu ndodhi edhe arratisja e tij e parë. Rexhepi në fakt ka mundur tu ikë nga ambientet e komisariatit të policisë Durrës, pasi oficeri Albert Strati dhe zëdhënësja e policisë së Durrësit, e kishin nxjerrë nga dhoma e shoqërimit, për t’i bërë një foto, me qëllim publikimin e lajmit të arrestimit të tij, në shtypin e kohës. Ai u largua në momentin që sapo u fut në qeli pas marrjes në pyetje, pasi dera e qelisë ishte lënë hapur. Në vetëm pak sekonda, Rexhepi ndodhej në rrugë i lirë.

Rexhepi ka mundur që të arratiset edhe nga burgu i sigurisë së lartë i Pavias, të Italisë, së bashku me dy shqiptarë të tjerë. Në korrik të 2011-s, ai u arrestua për grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelona, por arriti që të arratisej.

Dritan Rexhepi hetohet për rrëmbimin e Jan Prengës

Gjatë kohës që Dritan Rexhepi vijonte të vuante dënimin prej 13 vitesh burg në Ekuador, emri i tij del në skenë në Shqipëri, në ngjarjen e janarit të vitit 2020, kur u rrëmbye dhe më pas u zhduk Jan Prenga. Ai u hetua si organizator i rrëmbimit të tij, për zhdukjen e një sasie kokaine në Angli. Kjo tregonte gjithashtu se Rexhepi e vazhdonte trafikun e drogës edhe nga burgu. Më 28 janar të vitit 2020, Policia dhe Prokuroria thanë se kishin zbardhur ngjarjen dhe një ndër të dyshuarit si organizator ishte Dritan Rexhepi.

Emrat e organizatorëve të pengmarrjes së Jan Prengës, janë zbardhur nga deklarimet që ka dhënë vëllai i tij, Anton Prenga, i cili jeton në Angli, por sapo ka mësuar ngjarjen ka ardhur në Shqipëri për të negociuar. Në dosjen e Prokurorisë, ndër të tjera është edhe deklarimi i Anton Prengës, i cili tregon me detaje bisedat me organizatorët dhe takimet që ka pasur. Në dëshminë e tij, vëllai i Jan Prengës, shpjegon se ngjarja ka ndodhur pas grabitjes së një sasie kokainë në Angli, nga vëllai tjetër i tij, shtetasi Astrit Prenga, bashkë me mikun e tyre të familjes Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian. Ndërsa tregon edhe telefonatat që një person, i quajtur Gramoz, nga Vlora, ka komunikuar me vëllain tjetër të tij, Ndrekë Prenga, që ndodhet në burg, të cilit i ka thënë që të mos bënin gabim të luanin gjërat e tyre, duke nënkuptuar kokainën. Të njëjtin kërcënim ka marrë edhe nga Gentjan Doçi.

Vëllain tim, Ndrek Prenga, e ka marrë në telefon një shtetas i cili është prezantuar me emrin ‘Gramozi nga Vlora’ dhe i ka thënë: ‘Mos bëni gabim të luani gjerat pasi janë gjerat tona’. Dua të shpjegoj se Ndreka ka pasur në burgun ku ndodhet një telefon celular, me të cilin ka filluar të komunikojë me personin nga Vlora që quhej Gramoz. Ky person, Gramozi, i ka treguar Ndrekës së ndodhej në burg në Ekuador. Gramozi gjithashtu i ka thënë se sasia prej 260 kg ishte e tij dhe disa personave të tjerë.

Pas rrëmbimit të vëllait, ka hyrë në kontakte sërish Gramozi, i cili ka komunikuar me Ndrekën, të cilit i ka pohuar se: ‘Unë e di se si janë gjërat, por unë ju jap besën. Ktheni pjesën tuaj ju, se do lirohet pengu’, ç’ka nënkuptonte se duhet të kthenim pjesën e mallit që kishin marrë vëllai im Astriti me Gëzim Shullanin. Pasi kanë folur me Gramozin, vëllai im Astriti, së bashku me Gëzimin kanë kthyer sasinë prej 106 kg lëndë narkotike, në Londër, disa personave nga shteti i Polonisë, të cilët i kishte dërguar Gramozi me Gentjan Doçin.

Ka qenë data 22 janar 2020, kur është kthyer malli dhe po atë ditë Gramozi ka kontaktuar në telefon me Ndrekën, Astritin dhe Gëzimin dhe u ka thënë se brenda dy orësh vëllai i marrë peng, Jan Prenga, do lirohet. Pasi kemi pritur 2-3 orë dhe vëllai s’po lirohej, të nesërmen ka folur vëllai im Ndreka me Gramozin dhe ai i ka thënë që s’ka mundësi që nuk është liruar dhe i ka thënë: ‘Më jep pak kohë të kontaktoj me personat, se përse nuk është liruar’. Gramozi gjithashtu i ka thënë vëllait mos të shqetësohej, se vëllai ishte shëndoshë e mirë dhe do të lirohet pasi t’i dali malli personit që përmendi ai më lart. Pasi ka kaluar sërish kohë dhe vëllai s’po lirohej, vëllai im Ndreka ka kontaktuar sërish me telefon me Gramozin dhe në këtë moment Gramozi, i ka thënë se: ‘Më kanë lëvizur nga fjala ata personat. Unë të detyrohem të të jap emrat e tyre’.

Në Gjykatën e Posaçme janë zhvilluar disa seanca në mungesë, për Rexhepin dhe 6 persona të tjerë, në lidhje me ngjarjen. Procesi do të vijojë me gjykim të zakonshëm, pasi vepra e rëndë penale, për të cilat akuzohen, nuk parashikon gjykim të shkurtuar.

Lini një Përgjigje