Ai ka qenë shpallur në kërkim për një sherr në zonën e Krujës.
Është arrestuar nga policia e Krujës, Ariel Rraja, nipi i ish deputetit socialist, Rrahman Rraja dhe djali i Flamur Rrajës.
Ai ka qenë shpallur në kërkim për një sherr në zonën e Krujës.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në tetor të vitit 2024, ku babë e bir Flamur dhe Ariel Rraja dyshohet se kanë dhunuar në banesën e tij shtetasin Kujtim Caca dhe familjarët e tij. Mësohet se dhuna ndaj familjes Caca ka ndodhur për shkak të një prone.
Pas dhunës, në kërkim ishin shpallur Flamur Rraja dhe i biri, Arjel Rraja. Ky i fundit ka qenë më parë i ndaluar për shitje të lëndëve narkotike, kokainë.
Ndaj 24-vjeçarit, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Rr., 24 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Në vijim të veprimeve për këtë rast, janë proceduar penalisht shtetasit F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat”, thuhet në njoftimin e policisë.
Flamur Rraja ishte një prej dhunuesve të vëllezërve Bilbil dhe Jashar Maja. Flamur Rraja u filmua në video teksa mbante në dorë një armë zjarri pistoletë.
Dhuna barbare ndaj vëllezërve Maja solli reagime të forta, ndërsa pas saj Rrahman Rraja dorëzoi mandatin e deputetit.
Ngjarja ndodhi më 6 korrik 2023, ku opinioni publik u trondit, nga pamjet, ku fisi Rraja shfaqi një dhunë brutale ndaj banorëve të Borizanës, të cilët denoncuan në Policinë e Fushë Krujës, si dhe protestuan në rrugë se aktiviteti i një guroreje në pronësi të Përparim Rrajës, kushëririt të deputetit socialist të dorëhequr pas ngjarjes, Rrahman Rraja, po u shkatërronte shtëpitë.
Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, u goditën dhe u kërcënuan me armë nga anëtarë të fisit Rraja, mes tyre djali i ish-deputetit Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta.
Lini një Përgjigje