
Katër persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën si pasojë e një aksidenti të trefishtë në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, rreth orës 19:00 të mbrëmjes së sotme.
Policia ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin tragjik në Tepelenë, ndërsa ka publikuar edhe emrat e viktimave dhe të plagosurve.
Viktimë e këtij aksidenti të rëndë kanë mbetur, Riza Rapaj 42 vjeç, Afërdita Bega 85 vjeç, Lavdosh Bega 62 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Lefteri Bega 57 vjeç.
Ndërkohë që të plagosur rëndë janë dy persona, Jani Meta, rreth 60 vjeç dhe Lavdie Meta, 63 vjeç.
Mësohet se Lavdie dhe Jani Meta janë krushqit e Lavdosh Begës.
Sipas raportimeve nga policia, mësohet se automjeti tip “Benz” me drejtues Riza Rapaj, 42 vjeç, banues në Luftinjë, është përplasur me automjeti tip “Toyota” me drejtues Lavdosh Bega, 62 vjeç, banues në Memaliaj, me të cilin udhëtonin edhe dy pasagjerë, bashkëshortja e tij, Lefteri Bega 57 vjeç dhe Afërdita Bega 85 vjeç. Të katër këta personat ndërruan jetë.
Sakaq, sipas bluve, shtetasi me iniciale E. P., i cili po ashtu u përfshi në aksident, dhe 2 pasagjerët në automjetin e tij, janë dëmtuar lehtë.
Makina tip ‘Benz’ mendohet se humbi kontrollin për shkak të shpejtësisë dhe lagështirës në rrugë dhe përplasi makinën ‘Toyota’ që udhëtonte në korsinë tjetër, kurse ‘BMW-ja’ goditi nga pas ‘Toyotën’.
"Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin R. R., 42 vjeç, banues në Luftinjë, është përplasur me automjeti tip “Toyota” me drejtues shtetasin L. B., 62 vjeç, banues në Memaliaj.
Në aksident është përfshirë edhe automjeti tip “BMV” me drejtues shtetasin E. P., banues në Gjirokastër, që qarkullonte pas automjetit tip “Toyota”.
Si pasojë e përplasjes së automjeteve kanë humbur jetën shtetasit R. R. dhe L. B., si dhe 2 pasagjeret që ndodheshin në automjetin tip “Toyota”, shtetaset L. B., rreth 57 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit L. B.) dhe A. B., rreth 85 vjeçe.
Gjithashtu janë dëmtuar shtetasit L. M. dhe J. M., të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.
Shtetasi E. P. dhe 2 pasagjerët në automjetin e tij janë dëmtuar lehtë", njofton policia.
Lini një Përgjigje