Në vitin 1897, shkrimtari i famshëm satirik amerikan Mark Twain, shkroi se “raporti mbi vdekjen sime ishte e tepruar”, duke komentuar zërat që përhapi në media një gazetar mbi shëndetin e tij të keq. Kjo batutë vlen sot për Donald Trump, teksa ish-presidenti amerikan – dhe ndoshta i ardhshmi - u shpall fajtor javën e kaluar për 34 akuza.
Arsyeja kryesore, është se Trump nuk është më vetëm një politikan që i nënshtrohet shtetit ligjor në një vend demokratik me një sistem gjyqësor të avancuar, në të cilin shteti i së drejtës është i konsoliduar, dhe ku vendimet e institucioneve që zgjidhin mosmarrëveshjet respektohen pa asnjë diskutim.
Ai është tanimë një simbol i politikanit me një kult personaliteti dhe populist, që ka treguar një kapacitet të jashtëzakonshëm - dhe të rrezikshëm - për të nxitur dhe mobilizuar masat sipas dëshirës, rreth çfarëdolloj çështjeje që zgjedh. Pas 8 vjetësh në qendër të vëmendjes, lojërat e Trump mbi një bazë që e ka formuar sipas imazhit të tij, po rezultojnë të suksesshme.
Baza e tij elektorale, nuk e vlerëson më normat kushtetuese apo konceptet institucionale të qeverisjes, përfshirë transferimin paqësor të pushtetit dhe ndarjen e pushteteve. Mizoria e tij mund të shihet në hakmarrjet e tij personale, dhe në akuzat e pabaza që ka hedhur ndaj çdo kundërshtari apo rivali, dhe që shkon deri në nxitjen e kaosit dhe kryengritjes.
Natyrisht, kjo është pikërisht ajo që ndodhi kur Trump refuzoi të pranonte humbjen pas zgjedhjeve të fundit presidenciale në vitin 2020. Për pasojë, një turmë njerëzish sulmoi Kapitolin, selinë e Kongresit dhe Senatit, simbolin e demokracisë dhe legjitimitetit elektoral në SHBA.
Trump është bindur jo vetëm tek pathyeshmëria por edhe tek pagabueshmëria e tij. Ai e sheh veten si mbi përgjegjësinë. A nuk tha ai gjatë fushatës së tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016, se mund të qëllonte dikë me armë në një rrugë të Nju Jorkut, dhe të zgjidhej sërish në krye të vendit?
Parashikimi i Trump doli i saktë. Ai ka fituar përmes sloganeve populiste, kur më kryesorja është “Make America Great Again” (Të bëjmë Amerikën sërish madhështore), duke e marrë forcën e tij nga grupet izolacioniste kundër emigrantëve, të krishterët e bardhë ekstremistë, ungjillorët fondamentalistë, konservatorët në Amerikën rurale dhe grupime të ndryshme raciste.
Trump ka përfituar nga dy gjëra, që kanë qenë të vërteta gjatë mandatit të presidentit aktual demokrat Joe Biden. Së pari, nga ecuria e administratës së Bidenit, e cila ka qenë e dobët dhe nga fakti që liderit të saj shumë të moshuar i ka munguar karizma.
Së dyti, ka pasur një rritje të vazhdueshme të populizmit radikal, që tenton të promovojë racizmin në shumë vende të mëdha në mbarë botën, nga Evropa Perëndimore në Brazil dhe Argjentinë në Amerikën Latine, për të mos përmendur Indinë, modeli i demokracisë se të cilës shpresohej të kopjohej në Azi dhe Afrikë.
Pas rritjes së populizmit Trumpian - dhe bashkë me të, të së djathtës së krishterë - Partia Republikane në SHBA pushoi së qeni një “çadër e madhe”, ku strehohen si konservatorët ashtu edhe liberalët e moderuar klasikë. Republikanët e moderuar liberalë të mbetur në Kongres, veçanërisht në shtetet e lëkundura të verilindjes dhe Liqeneve të Mëdha, pritet të dalin nga skena brenda 4 viteve të ardhshme.
Prandaj, shumë vëzhgues besojnë se është zhdukur potenciali për një luftë të brendshme midis krahëve rivalë të Partisë Republikane. Dinamika e luftës për udhëheqje brenda partisë, për të ardhmen e parashikueshme, do të mbetet një konkurrencë midis pretendentëve që kërkojnë janë haptazi në një garë midis tyre, se kush do të shfaqë besnikërinë e tyre absolute ndaj pozicioneve dhe besimeve të Trump.
Për më tepër, disa analistë po sugjerojnë se vendimi gjyqësor kundër tij, mund ta ndihmojë në një moment tejet të rëndësishëm, teksa faza zyrtare e fushatës pritet të nisë shumë shpejt. Në aspektin ligjor, asgjë nuk e pengon ish-presidentin të garojë në zgjedhjet presidenciale në fillim të nëntorit.
Përkundrazi, aktakuzat mund të forcojnë efektivitetin e dy taktikave më të rëndësishme të ndërthurura që ka ndjekur Trump:të shtiruri si viktimë e një përndjekjeje të padrejtë dhe promovimi i teorive konspirative. Mbështetësit e tij, s’kanë nevojë për shumë argumente që
të binden se të ashtuquajturat forca armiqësore në Uashington, të udhëhequra nga Partia Demokratike dhe grupet liberale dhe progresiste, janë duke komplotuar kundër ish-presidentit për ta penguar atë të garojë si duhet.
Në fakt, besimi tek teza e një komploti, do të përforcohet më shumë nga padrejtësia e perceptuar që po i bëhet në sallën e gjyqit. Për më tepër, Donald Trump ia ka dalë vazhdimisht ta bindë bazën e tij besnike, se i është bërë një padrejtësi dhe është viktimë e një komploti.
Kjo bindje, mund të pengojë shfaqjen e çdo figure republikane, me një shkallë qoftë edhe minimale pavarësie nga linja e Trump, nëse për arsye të paparashikuara, ai nuk do të ishte në gjendje të kandidonte vetë në nëntor.
Bazuar tek të gjitha këto argumente, si populli amerikan ashtu edhe bota, mund të presin disa muaj shumë elektrizues nga tani e deri në nëntor. Këta muaj, mund të përcaktojnë trajektoren politike të vendit më të plotfuqishëm në botë, si dhe angazhimin e tij me pjesën tjetër të globit, për dekadat e ardhshme./Përshtati Pamfleti nga “Arab News”
Lini një Përgjigje