
Që të pretendosh ti nxisësh shqiptarët të lindin më shumë fëmijë duhet të kuptosh se përse ikin të rinjtë dhe përse ata që janë këtu nuk lindin më shumë se 1 apo maksimumi 2 fëmijë.
Kreu i PL, Ilir Meta, ka reaguar, ndërsa Lulzim Basha në një takim të partisë së tij, pak ditë më parë, shpalli një pikë të programit politik, që synon rritjen e popullisisë. Basha tha se do të ofronte(kur të vijë në pushtet) një bonus prej 20 mijë Euro për çiftet që lindin fëmijët e tretë. Meta tha pas kësaj se Basha është duke kopjuar programin e partisë së tij për këtë çështje, i cili nuk lidhet thjeshtë me një bonues por me një strategji të plotë dhe shumë të detajuar.
Se sa shanse kanë këto dy parti ta vënë në jetë programin e tyre, kjo është një tjetër çështje. Por, përtej kësaj, ajo që mbetet problem është ikja e njerëzve, rënia e lindjeve, shtimi i vdekje, plakja e popullsisë, dhe që të gjitha konvergjojnë në reduktimin e frikshëm të popullsisë shqiptare që jeton në Shqipëri.
Që të pretendosh ti nxisësh shqiptarët të lindin më shumë fëmijë duhet të kuptosh se përse ikin të rinjtë dhe përse ata që janë këtu nuk lindin më shumë se 1 apo maksimumi 2 fëmijë.
Shqiptarët ikin për një jetë më të mirë!
Kjo është një aksiomë.
Por një jetë më e mirë nuk do të thotë detyrimisht më shumë bukë, gjellë dhe rroba. Padyshim që ka edhe nga ata që ende nuk i kanë këto, por më të shumtët tashmë nuk ikin për bukën e gojës. Por ikin edhe ata që i kanë këto, ata që kërkojnë një standard më të lartë jetese.
Dhe standard jetese më i lartë do të thotë:
Shërbim më i mirë spitalor; shkollim më i mirë për fëmijët; një mjedis social më i mirë, kopshte, kënde lojërash, qendra jashtëshkollore ku fëmijët të kalojnë kohë produktive, të shprehin dhe kultivojnë talentin dhe të mos rrinë rrugëve apo mbyllur, me telefona në duar. Mjedise publike më të mira, rrugë, trotuare, parqe…që njerëzit të mos jenë të detyruar të paguajnë karrigen e kafenesë edhe për të këmbyer dy fjalë mes tyre. Transport publik më i mirë, mjedis më i pastër, më pak zhurma, bori makinash, muzikë me volum të lartë natë e ditë, dhe në fund: qytete që të mos jenë thjeshtë fjetore të mëdha, por të ofrojnë jetë kulturore dhe artistike, me teatro, kinema, cirk, biblioteka. Më shumë siguri për jetën, më shumë siguri për vendin e punës, më shumë hapësirë për të konkurruar mbi bazën e aftësive…Pastaj të flasim për standard demokracie dhe mediash etj, që të mos dëgjojnë nga mëngjesi në darkë për vrasje, aksidente, arrestime, skandale, vjedhje, zhvatje, sherre, akuza dhe lloqe politike...
Njerëzit i ikin një mjedisi që prodhon stres dhe lodhje nervore, duke i bërë ata të mos jetë produktivë mendërisht për veten, familjen dhe shoqërinë.
Ka shumë arsye që e shtyjnë një të ri të ikë, apo të mendohet gjatë para se të krijojë familje e të lindë fëmijë.
Më shumë se politikanët, për këtë duhet të flasin sociologët dhe psikologët. Madje edhe psikiatrit. Nuk është pa shpjegim fakti se përse në qytete tona, në çdo 100 metra ka një farmaci.
Ikja nuk frenohet me thirrje patriotike.
Ndërsa shtimi i lindjeve nuk bëhet me “tollona” shpërblimi.
Lini një Përgjigje