TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Mars 2025, 11:08

Trumpit i interesojnë bizneset e familjes, ndaj mbështet statuskuonë në Ballkan

Shkruar nga Paolo Rossetti

Trumpit i interesojnë bizneset e familjes, ndaj mbështet

Dodik dhe Vuçiç duan të bashkojnë serbët, por Trump është kundër, ndërsa BE mbetet apatike. Nuk rrezik për një luftë civile, por vetëm për një vazhdim të krizës...

Ka një urdhër-arresti për presidenti e Republikës Srpska (njësi federative e Bosnje Hercegovinës), Milorad Dodik, i dënuar me 1 vit burg për kufizimin e zbatimit të ligjit federal në entitetin serb, që përbën një nga dy pjesët e vendit, së bashku me Federatën Kroato-Myslimane.

Ky akt, mund të thellojë më tej paqëndrueshmërinë e një shteti ku mbizotëron varfëria, papunësia dhe korrupsioni. Megjithatë edhe nëse mund të ketë incidente sporadike, nuk ka rrezik për një luftë të re civile, thotë Azra Nuhefendiç, gazetare dhe shkrimtare boshnjake.

Trumpit i interesojnë bizneset e familjes, ndaj mbështet
Azra Nuhefendiç /

Sigurisht, mbetet problemi i një vendi në krizë. Dodik dëshiron bashkimin me Serbinë, por nuk do ta arrijë. Ashtu si presidenti serb Vuçiç, edhe ai shpresonte për ndërhyrjen e Trump, por ky u kufizua në dërgimin e djalit të tij në Beograd për të negociuar mbi disa biznese të familjes.

Ndërkohë në kryeqytetin serb vazhdojnë protestat kundër Vuçiç, por opozita nuk është e organizuar si duhet për të ndërtuar një alternativë. Nga ana tjetër, presidenti gëzon edhe mbështetjen e BE-së, së cilës Serbia do që t’i bashkohet, pavarësisht lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Putinin. Dhe ai ka në krahun e tij të gjitha mediat.

Me çfarë rreziqesh përballet Bosnja, dhe çfarë pasojash mund të sjellë urdhri i arrestit për Dodik?

Masa duhet të çojë në arrestimin e tij. Presidenti serb Vuçiç, që po e shfrytëzon situatën në Bosnje për të larguar vëmendjen nga ajo që po ndodh në Serbi, ku po përballet me protesta të mëdha, thotë se arrestimi i mundshëm i Dodik dhe i të tjerëve që janë akuzuar me të, mund të shkaktojë probleme serioze. Unë nuk e besoj këtë. Mendoj se serbët dhe kroatët në Bosnje janë të ngopur me këtë konflikt.

Edhe serbët e Bosnjës?

Po, në këtë moment opozita serbe e Bosnjës është kundër Dodik, sepse sjellja e tij vetëm sa e përkeqëson situatën në Bosnje, një vend ku ka varfëri, korrupsion, dëshpërim, papunësi, ku s’ka të ardhme, ku të rinjtë po largohen dhe lindshmëria është nën zero. Kjo vlen për të gjithë.

Në një kontekst të tillë, Dodik mbrohet duke thënë se gjithçka që bëhet kundër tij, është në fakt kundër Republika Srpska, kundër serbëve. Por kjo nuk është e vërtetë. Besoj se kjo situatë mundet vetëm ta zgjasë një krizë që tashmë është shumë e thellë.

Përballë kësaj, komuniteti ndërkombëtar nuk po thotë asgjë?

EUROFOR-i (i cili vepron nën mandatin e OKB-së) është forcuar. Trupat e tij janë më të pranishme në rrugë, dhe avionët fluturojnë mbi qytete. Por i tha Vuçiç se nuk do të ndërhyjë për të arrestuar Dodik, pasi këtë duhet ta bëjnë institucionet boshnjake. Dhe këtu buron problemi.

A nuk janë këto institucione mjaftueshëm të forta për të zbatuar një urdhër arresti ndaj tij?

Dodik po bën me institucionet e Bosnje Hercegovinës, atë që bënë serbët e Bosnjës në fillim të luftës në vitet 1990: ai po ushtron presion mbi serbët që punojnë në organet federale, që të braktisin punën e tyre dhe të kthehen në Republika Srpska. Një strategji e rrezikshme, sepse pa serbët e Bosnjës institucionet nuk mund të funksionojnë.

Tridhjetë vjet më parë, gjatë luftës, një nga teoricienët e konfliktit, profesori i historisë Milorad Ekmeçiç, një serb i Bosnjës, tha se duhej pritur të ndryshonte situata ndërkombëtare për të provuar marrjen e asaj që serbët e kishin kërkuar me armë, topa dhe tanke: shpërbërjen e Bosnjës. Tani në anën e Dodik, nuk janë as kroatët e Bosnjës. Dragan Çoviç, president i partisë HDZ, ka thënë se nuk mund të tolerohet sjellja e tij.

A do të arrestohet Dodik një ditë? Dhe çfarë mund të ndodhë në atë moment?

Mund të ketë disa incidente, por sigurisht jo një luftë civile. Asnjëra palë nuk ka armë apo ushtri. Republika Srpska është në borxhe deri në fyt, ndaj kërkon të krijojë një shtet brenda shtetit, të shesë tokën, pyjet, minierat. Ndërkohë, njerëzit jetojnë pa të drejta, pa asnjë sistem, as shkollor, social apo politik, që i ndihmon qytetarët.

Vendi udhëhiqet nga politikanë të dalë nga lufta, asnjëri prej të cilëve nuk ka luftuar në front. Ata u pasuruan dhe u rikthyen këtu pas luftës. Dhe për 30 vjet, kemi qenë nën sundimin e tyre.

Po cili është qëllimi i Dodik? Shkëputje me bashkim me Serbinë?

Çdo ditë ai deklaron se serbët e Bosnjës, janë një popull me serbët e Beogradit dhe synimi është bashkimi me ta. Për momentin, kjo s’mund të ndodhë. Si Dodik ashtu edhe Vuçiç shpresonin që Trump të ndërhynte në krah të tyre, por Uashingtoni tha jo.

Megjithatë djali i Trumpit vizitoi Serbinë. Për çfarë arsye?

Ishte një vizitë biznesi. Presidenti Vuçiç i ka shitur familjes Trump 2 ndërtesa në qendër të Beogradit, që i përkisnin ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe u goditën gjatë bombardimeve të NATO-s. Ideja është të ndërtohet një qendër tregtare apo projekte të ngjashme. Në fakt, ato nuk u shitën as për fitim, por për të bërë një nder.

Duke pasur parasysh lidhjet e forta mes Rusisë dhe Serbisë, a mund të thotë Putini fjalën e tij?

Ambasadori rus në Sarajevë mbajti anën e Dodik, duke thënë se ajo që po ndodh është kundër Republikës Srpska dhe jo liderit të saj. Por kjo nuk është e vërtetë. Dodik fajëson për gjithçka Marrëveshjen e Dejtonit, duke pretenduar se ajo nuk po funksionon.

A rrezikon Vuçiç të bjerë nga protestat e muajve të fundit?

Presidenti serb është gënjeshtar. Ai gënjen edhe kur përballet me prova shumë të qarta. Gjatë demonstratave në Beograd, policia përdori të ashtuquajturat “topa zanore” për të shpërndarë turmën me tingujt të bezdisshëm. Ai e mohoi se e kishte në dispozicion këtë sistem, më pas pranoi se policia e kishte, por nuk u përdor. Pamjet filmike vërtetojnë të kundërtën. Për t’u përballur me studentët që protestonin paqësisht, ai solli njerëz që kishin kryer krime lufte në vitet 1990.

A do të qëndrojë aty ku është, apo ka mundësi të ketë ndryshime?

Mjerisht Vuçiç mbështetet nga Evropa. Disa muaj më parë, Von der Leyen vizitoi Beogradin duke thënë se po punohet mirë. Të njëjtën gjë bëri edhe Ministri i Jashtëm italian Tajani. Në mes janë si gjithnjë interesat e biznesit. Ndërkohë opozita është e përçarë.

Pastaj Vuçiç, ashtu si Dodik, i kontrollon të gjitha mediat. Ai del në televizion 2-3 herë në ditë. Studentët kanë protestuar edhe kundër televizionit serb. Të rinjtë informohen edhe në rrjetet sociale, por jo njerëzit që votojnë për Vuçiç, sidomos fermerët apo njerëzit që jetojnë në zonat më të largëta nga qendrat e mëdha./Përgatiti Pamfleti

trumpi ballkani statuskuo bizneset e familjes

Lini një Përgjigje