TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Prill 2026, 18:27

Trump dhe hijet e një Depresioni të Ri: A po shkojmë drejt greminës?

Shkruar nga Wolfgang Munchau
Trump dhe hijet e një Depresioni të Ri: A po shkojmë drejt
Donald Trump /

Politikat impulsive të presidentit amerikan dhe kërkesat e dyshimta për dollarë nga shtetet e Gjirit po sinjalizojnë një kolaps financiar global. Kjo situatë mund të çojë në bllokimin e tregtisë botërore dhe në një krizë ekonomike më të rëndë se ajo e vitit 2008...

Krizat financiare nuk janë kurrë njësoj. Por ajo që kanë të përbashkët është përhapja e historive të çuditshme. Kolapsi i vitit 1929, erdhi me histori për djem që lustronin këpucë dhe që jepnin këshilla për aksione bazuar në thashethemet që kishin dëgjuar.

Ndërkohë në fillim të viteve 2000, investitorët mendonin se instrumentet komplekse financiare dhe metodat moderne matematikore, do ta bënin të sigurt investimin në produkte të dyshimta në fushën e pasurive të paluajtshme.

Budallallëku i këtyre narrativave u përshkrua në librin “This Time Is Different” (Këtë herë është ndryshe), shkruar nga Kenneth Rogoff dhe Carmen Reinhart, ku theksohet se euforia financiare lind zakonisht nga harresa e historisë financiare.

“Djali që lustron këpucë” i kohës sonë është ushtari amerikan që vuri bast 400 mijë dollarë në Polymarket përpara kapjes së presidentit të Venezuelës në janar të këtij viti, Nicolás Maduro.

Por historia më e çuditshme, është ajo që u ka shpëtuar shumicës së njerëzve, sepse fshihet thellë në portalet e lajmeve financiare. Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Scott Bessent, tha se disa shtete të Gjirit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë kërkuar linja shkëmbimi dollari me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një shkëmbim valutor të tipit “swap”, dy palë bien dakord të shkëmbejnë monedhat e tyre - në këtë rast dollarët amerikanë me monedhën vendase të Emirateve, dirhamin - dhe një linjë e tillë do t’i lejonte Emiratet ta aktivizonin menjëherë këtë shkëmbim.

Arsyeja se pse do ta donin këtë mbetet një mister, pasi Emiratet janë shumë të pasura dhe sasia e dollarëve që ato zotërojnë është më shumë se 10 herë më e madhe se Fondi i Stabilizimit të Shkëmbimit i administratës amerikane, që do të ishte pala tjetër në këtë marrëveshje.

Gita Gopinath thotë se kjo mund të tregojë se pasojat e konfliktit me Iranin janë shumë më të mëdha nga sa reflektojnë tregjet. Ndërkohë Brad Setser e quan këtë diçka rrënjësisht të re, që duket si një marrëveshje e dyshimtë jashtë bilancit ku Emiratet marrin përfitimin kryesor.

Manipulimi i tregjeve të basteve dhe marrëveshjet e dyshimta, janë shpesh shenja paralajmëruese të një krize financiare. Dhe ndonëse nuk dihet si do të përfundojë lufta me Iranin, diplomacia po del të jetë më e vështirë sesa pretendon Donald Trump.

Kjo u pa kur ai anuloi një udhëtim diplomatik të të dërguarve Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Një zgjidhje diplomatike do të kërkojë muaj për t’u arritur dhe zbatuar. Madje edhe atëherë, çmimet e naftës dhe gazit nuk do të kthehen në nivelet e mëparshme për shkak të dëmeve infrastrukturore. Nëse Irani do të përfitonte nga trafiku në Ngushticën e Hormuzit, siç ka sugjeruar Trump, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm - një taksë mbi transportin ndërkombëtar - ide që u pasua edhe nga ministri indonezian Purbaya Yudhi Sadewa për Ngushticën e Malakës, ku kalon rreth 40 për qind e tregtisë globale.

Këto masa do të sfidonin parimin e Kombeve të Bashkuara për lirinë e deteve, duke na rikthyer në epokën e piratëve dhe diplomacisë së forcës. Rreziku më i madh nuk është vetëm rritja e çmimeve të naftës, por një krizë e re globale financiare.

Sepse nëse bllokohet Ngushtica e Hormuzit, mund të shkaktohet një recesion global dhe një zinxhir krizash financiare, që është pikërisht arsyeja pse ekonomistët shqetësohen nga bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Emirateve për një shkëmbim valutash.

Në skenarin më të keq, sistemi financiar global mund të pësojë një “arrest kardiak” dhe atëherë nuk do të flisnim më për çmimin e naftës, por për një Depresion më të Madh.

Në dallim nga viti 2008, kur liderët botërorë bashkëpunuan në kuadër të G20-ës për të vendosur masa të përbashkëta stabilizimi, sot një reagim i koordinuar duket i pamundur dhe një krizë e tillë mund të zhvillohet pa ndërhyrje efektive.

Mua personalisht nuk më mungon ajo epokë, pasi politikat si lehtësimi sasior dhe shtrëngimi fiskal patën pasoja afatgjata negative. Por pa një bashkëpunim ndërkombëtar, një krizë e re do të jetë shumë më e vështirë për t’u menaxhuar. Ndërkohë, fuqitë e mëdha nuk po tregojnë vetëpërmbajtje strategjike, ku Vladimir Putin, Donald Trump dhe të tjerë veprojnë shpesh në mënyrë impulsive, ndërsa brenda administratës së Trump mungojnë zërat kritikë dhe figura si Pete Hegseth dhe Marco Rubio nuk e balancojnë dot vendimmarrjen.

Në këtë panoramë të zymtë, ekziston një shpresë te Inteligjenca Artificiale si inovacioni më i madh që nga elektriciteti për të transformuar ekonominë. Megjithatë efektet e saj janë ende në fazat fillestare dhe nuk do të vijnë në kohë për të zbutur pasojat e një krize të mundshme.

Kjo do të thotë se edhe nëse këtë herë gjërat janë ndryshe, nuk do të jetë ndryshe në një mënyrë të mirë./Pamfleti nga “Unherd”

trump hijet e një depresioni të ri a po shkojmë drejt greminës

Lini një Përgjigje