
Një popull që nuk voton i lirë, është mjeran, pa dinjitet dhe mbi të gjitha jo i qeverisur, por tërësisht i sunduar.
Kompromisi-pazar mbi votën e lirë, mori peng sërish sovranitetin popullor, lirinë, drejtësinë, mirëqenien dhe të ardhmen.
Popujt sovrane janë dinjitozë, të aftë të ndërtojnë një jetë mbi ligje të drejta dhe kurajoze për të rrezuar çdo lloj zgjedhe.
Vetëm popujt sovranë mund të ndërtojnë shtete ku mirëqenia e përbashkët dhe lumturia nuk janë misione të pamundura.
Vetëm tek popujt sovrane askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush nuk mund të sundojë mbi ta duke kthyer në ligj vullnetin dhe dëshirat dhe interesat e tij.
Në mitologjinë klasike, Scylla ishte një përbindësh i tmerrshëm me gjashtë koka që jetonte në një shkëmb në njërën anë të një ngushtice të ngushtë, ndërsa Charybdis ishte një vorbull në anën tjetër. Kur anijet kalonin pranë shkëmbit të Scylla për të shmangur Charybdis, ajo kapte dhe gllabëronte marinarët e tyre.
Pikërisht këtë synon të bëjë kompromisi-pazar i radhës, t'i mbajë shqiptarët midis Scyllas dhe Charybdis së tyre, midis Berishës edhe Ramës, midis të djeshmes dhe të sotmes së inkriminuar politike, që të dy pengmarrës të pashpresë nesër në një shtet të mundshëm të së drejtës.
Jo rastësisht u godit në të njëjtën kohë vota e lire, çelësi i çdo zgjidhjeje, SPAK-u dhe KLSH, iu dha vula paturpësisht një non grate i cili kurrë nuk do më pushtet, demokraci e drejtësi, por, vetëm mbijetesë nëpërmjet pazarit politik.
Jo rastësisht u godit ndarja e pushteteve që në hapat e parë të funksionimit të tyre, për të mos i lënë shqiptarët që të mësojnë artin e mbajtjes nën fre të pushtetit ekzekutiv, duke përsosur metodat kontrolluese për të arritur një qeverisje të drejtë dhe të matur.
Është pikërisht ndarja e pushteteve, dhe vetëm ajo, e cila do të bëjë të mundur arritjen e një qeverisjeje të drejtë.
Ne aspiruam prej 30 vitesh për drejtësi dhe një udhëheqje të drejtë të vendit, drejtësi, e cila në konstruktin moral dhe edukativ të burrave të vërtetë të shtetit, të ishte pika ku do të bashkoheshin bazat.
Ne aspiruam për lirinë si gjeja më e shenjtë të cilën e dëshiron vetë qenia, që buron nga origjina e saj e natyrshme, prej vetë njerëzve, të cilët kanë të drejtë, të vendosin për fatin e tyre, një liri ku caqet e saj të ishin kundërshtimi dhe pranimi, e aftë për të krijuar revolucione, ndërtuar kulturat dhe themelet e bashkëpunimit, një liri ku askush të mos ishte skllav i tjetrit në asnjë lloj aspekti, e cila do të mendësonte largimin e frikës dhe shtypjes nga shpinat e njerëzve dhe të jetuarit me dinjitet, liri që do të mbillte virtyte morale, sepse janë virtytet ato që ruajnë lirinë dhe drejtësinë.
Ne pikërisht sot do të duhet të sfidojmë veten dhe të provojmë se kemi guximin dhe pjekurinë për të mbrojtur institucionin e votës së lirë, ndarjes së pushteteve dhe meritokracisë.
Nëse ne nuk çohemi nga gjunjëzimi, kurrë nuk do të gjunjëzohet krimi dhe pengmarrja dhe kurrkush nuk do të na e dhurojë dinjitetin, lirinë dhe mirëqenien.
Një popull që nuk voton i lirë, është mjeran, pa dinjitet dhe mbi të gjitha jo i qeverisur, por tërësisht i sunduar.
Vija ndarëse e shqiptarëve tashmë duhet të jetë vetëm devotshmëria dhe asgjë tjetër.
Ne nuk mund të vazhdojmë të jemi përjetësisht shërbëtorë të bindur të oligarkisë politike 33-vjecare.
Tashmë është koha e guximit dhe e veprimit, e mosbindjes dionisiane dhe e pandjeshmërisë apoloniane ndaj politikës së krimit.
Është koha për të hapur sytë, mendjen dhe zemrën për t'u ngritur mbi moçalin kulturor për të parë sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër dhe për ta kuptuar përfundimisht se, zgjidhja jemi vete ne dhe se nuk ka asnjë përballje që nuk fitohet sidomos kur bëhet fjalë për dinjitet dhe liri.
Shqipëria, e ardhmja, dinjiteti dhe nderi na kërkon sot të solidarizohemi rreth vlerave të së mirës, së drejtës dhe lirisë.
Lini një Përgjigje