TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Korrik 2024, 10:51

Si Kamala Harris mund ta mundë Donald Trumpin dhe të bashkojë Amerikën

Shkruar nga Paul Bledsoe

 

Si Kamala Harris mund ta mundë Donald Trumpin dhe të bashkojë
Kamala Harris dhe Donald Trump /

Në rast se zotëron forcën dhe mençurinë për t’iu drejtuar të gjithë amerikanëve si një figurë unifikuese, ajo jo vetëm që mund ta mposhtë Donald Trumpin, por edhe të krijojë mbështetjen politike të nevojshme për të ndihmuar në shërimin e kombit tonë të përçarë, dhe në zgjidhjen e shumë çështjeve të rëndësishme që po na sfidojnë...

Shpejtësia mbresëlënëse me të cilën demokratët janë tubuar rreth zv/presidentes Kamala Harris si kandidatja e tyre presidenciale, është dëshmi e dëshirës së tyre të madhe për të mposhtur ish-presidentin Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, dhe për të parandaluar një presidencë të dytë Trump, që do të kishte pasoja katastrofike.

Po ashtu, pasi ka fituar nominimin pa pasur nevojë të përballet me votuesit kryesorë, pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara të dielën, tani është veçanërisht e rëndësishme që Harris t’u tregojë votuesve të thjeshtë se ajo do të kandidojë si një politikane e qendrës, që synon të bashkojë kombin amerikan. 

Lajmi i mirë është se pozicionet radikale të politikës së Trump, i japin Harrisit një liri të jashtëzakonshme për ta bërë këtë. Megjithatë, ajo duhet të kryejë disa veprime specifike javët e ardhshme, për të sinjalizuar synimin e saj drejtuar grupit të gjerë të votuesve, mbështetja e të cilëve do t’i duhet për ta mposhtur Trumpin në nëntor.

Së pari, Harris duhet t’ua bëjë të ditur votuesve se ajo e kupton se vitet e fundit me një inflacion të lartë, kanë qenë të vështira për shumë familje në vështirësi. Ndërsa situata ekonomike në përgjithësi është e mirë, inflacioni i shkaktuar nga rënia e kërkesës për shkak të pandemisë së Covid-19, ka goditur më rëndë familjet me të ardhura të mesme dhe ato të klasës punëtore.

Përkundër përpjekjeve të Trump për të miratuar më shumë ulje taksash për amerikanët më të pasur, Harris duhet t’i japë fund dhuratave të mëdha të Trump për të pasurit, dhe të kalojë tek një ulje e përkohshme e taksave për votuesit e klasës së mesme dhe asaj punëtore. Kjo do të tregojë më shumë se çdo gjë tjetër se Harris është vërtet në krah të amerikanëve të zakonshëm.

Së dyti, Harris duhet të zgjedhë kandidatin e saj për zëvendës nga njëri prej shteteve që cilësohen vendimtare në zgjedhje. Zgjedhja më e mirë do të ishte guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, i cili ka qeverisur si centrist. Për shembull, ai e ka bërë të qartë se është kundër çdo lloj ndalimi të prodhimit të gazit natyror, i cili siguron vende pune për dhjetëra mijëra pensilvanianë dhe ul kostot e energjisë.

Megjithatë, ashtu si Harris, edhe Shapiro mbështet fuqimisht stimujt fiskalë për energjinë e pastër dhe për kalimin tek energjia me emetime më pak ndotëse në atmosferë. Sigurisht, Harris mund të marrë në konsideratë edhe një kandidat nga Michigan ose Ëisconsin. Një opsion tjetër mund të jetë senatori i Arizonës, Mark Kelly, një veteran dhe një astronaut i shquar me një karrierë 25-vjeçare. Por Pensilvania duket opsioni i saj më logjik. 

Së treti, Harris duhet t’u tregojë votuesve se ajo është rritur dhe pjekur gjatë postit si zëvendëspresidente, duke i njohur shumë mirë problemet reale siç është migracioni i paligjshëm. Po ashtu, duhet të adresohen edhe shqetësimet për luftërat e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. 

Dhe Harris i kupton tashmë këto gjëra. Siç e deklaroi në një intervistë për The New York Times pasi u emërua zv/presidente:“Unë nuk po përpiqem ta ristrukturoj shoqërinë. Por përpiqem të merrem me çështjet që i zgjojnë njerëzit në mes të natës”.

Kjo qasje sugjeron një fokus më të madh tek çështjet ekonomike të jetës së përditshme, të cilat i shqetësojnë më shumë votuesit mesatarë, si frenimi i kostos së barnave që jepen me recetë, masat tatimore për t’i ndihmuar amerikanët me të ardhura mesatare të kursejnë para dhe të kenë një jetë komode kur të dalin në pension, si dhe përpjekjet për t’i ndihmuar të rinjtë të përballojë blerjen e shtëpive të tyre të para.

Së katërti, Harris duhet ta sfidojë drejtpërdrejt strategjinë politike të Donald Trump për të nxitur një luftë kulturore përçarëse dhe ndonjëherë edhe të dhunshme. Kjo s’ka të bëjë thjesht me sulmin ndaj pretendimit të Trump se nuk i humbi zgjedhjet e vitit 2020 por ia vodhën, dhe planeve të tij për të shkatërruar elementë të demokracisë amerikane.

Është po aq e rëndësishme, që Harris të përballet me Trump lidhur me demonizimin që ai i bën të gjithë qytetarëve amerikanë që nuk ndajnë pikëpamjet e tij politike. Një mënyrë për ta bërë këtë, mund të jetë që Harris të shfaqet në mediat e krahut të djathtë, si TV Fox, duke treguar  gatishmërinë e saj për të adresuar shqetësimet e amerikanëve konservatorë.

Është një strategji që ka funksionuar shumë mirë për guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Neësom dhe të tjerët. Së fundi - por ndoshta më e rëndësishmja - Harris duhet të përqafojë një vizion pozitiv dhe shpresëdhënës mbi të ardhmen e vendit, dhe veçanërisht për të ardhmen e të rinjve. Negativizmi i Trump, duhet të jetë një dobësi dhe jo një forcë politike. Politikanët më të suksesshëm në historinë e Amerikës, si Franklin D.Roosevelt dhe Ronald Reagan, përqafuan dikur një vizion të orientuar drejt së ardhmes për rritjen ekonomike, nga i cili përfituan të gjithë amerikanët, edhe pse ne si amerikanë e ruajmë dhe e mbështesim në përgjithësi udhëheqjen tonë morale në botë.

Ky vizion i gjerë, me një mendësi bujare për një të ardhme më të ndritur të SHBA-së, i bën jo vetëm thirrje optimizmit instinktiv të Amerikës, por do të jetë vendimtar për të zbehur joshjen nga politika e errët, manipuluese dhe plot ankesa e Donald Trump.

Për shkak se Kamala Harris është bërë kandidate e demokratëve në një mënyrë kaq të pazakontë, është tejet e rëndësishme që ajo t’u bëjë thirrje drejtpërdrejt amerikanëve të të gjitha bindjeve politike, veçanërisht të moderuarve dhe konservatorëve politikë.

Në rast se zotëron forcën dhe mençurinë për t’iu drejtuar të gjithë amerikanëve si një figurë unifikuese, ajo jo vetëm që mund ta mposhtë Donald Trumpin, por edhe të krijojë mbështetjen politike të nevojshme për të ndihmuar në shërimin e kombit tonë të përçarë, dhe në zgjidhjen e shumë çështjeve të rëndësishme që po na sfidojnë./Përshtati Pamfleti nga “The Hill”

Shënim: Paul Bledsoe, ka qenë anëtar i stafit në Kongres, Senat, Departamentin e Brendshëm dhe Task Forcën për Ndryshimet Klimatike të Shtëpisë së Bardhë në presidencën e Bill Clinton.

 

Lini një Përgjigje