
Ata zaptojnë territore në lakmuara në bregdet, duke i shndërruar në rezidenca banimi për shtresën e pasur. Ndërkohë që bregdeti është pronë publike dhe duhet të shërbejë vetëm për zhvillimin e turizmit...
Investitorët strategjikë, përtej faktit se kush janë (ministra, deputetë, e trafikantë), janë në fakt edhe varrmihësit e interesave të ekonomisë kombëtare në bregdet.
Ja çfarë thuhet në vendimin e qeverisë për shpalljen investitor strategjik të kompanisë së Pëllumb Gjokës, tashmë në burg, në bregdetin e Velipojës .
“Projekti parashikon realizimin e një kompleksi turistik, i cili përfshin 1 (një) hotel pranë shëtitores kryesore, 1 (një) hotel me standarde evropiane me 5 yje, si dhe një përzierje të përbërësve të banimit duke përfshirë vila dhe apartamente të tipologjive të ndryshme, i cili do të ketë dy blloqe në formë të dy unazave qarkulluese me një drejtim, që i shërbejnë godinave rezidenciale.”
Ndërsa në vendimin e qeverisë për shpalljen investitor strategjik të një tjetër kompanie në Plazhin e Gjeneralit, thuhet:
“Struktura akomoduese do të ketë rreth 250 njësi (përfshi vila hotelerie, studio, apartamente, hotel), 170 dhoma dhe suita hoteli dhe më shumë se 700 vende parkimi, 150 shtëpi me tarracë dhe 5 parqe të gjelbëruara”.
Qartësisht shikohet se lejet janë për hotele, vila e apartamente. Këto të fundit janë për shitje dhe padyshim që blihen nga shtresa më e pasur e shoqërisë.
“Investitori strategjik” u shpik për të frymëzuar zhvillimin e turizmit, të paktën kështu u justifikua. Por veç hoteleve, kompanitë që fitojnë këtë status po ndërtojnë vila e apartamente për shitje.
Mund të duket gjë normale kjo, por ka dy probleme të mëdha:
Investitorët strategjikë e marrin tokën falas nga shteti. Përfitojnë ndërtimin e infrastrukturës, rrugë, ujësjellës, kanalizime, rrjet elektrik etj, si dhe lehtësira të tjera fiskale.
Mbi të gjitha, ata zaptojnë territore në lakmuara në bregdet, duke i shndërruar në rezidenca banimi për shtresën e pasur. Ndërkohë që bregdeti është pronë publike dhe duhet të shërbejë vetëm për zhvillimin e turizmit.
Shumë zona turistike u shkatërruan. Ato u mbushën me vila, përmes projektit famëkeq të qeverisë së PD-së të “fshatrave turistike”. Aty tani nuk ka turistë e as turizëm, por thjeshtë jetojnë në parajsë e tyre njerëz të pasur, ministra e deputetë, sipërmarrës të ndershëm dhe të korruptuar, trafikantët e hajdutë të pronës dhe parave publike.
Socialistët e bllokuan ndërtimin e fshatrave turistikë, sepse bregdeti duhet të jetë vetëm në shërbim të ekonomisë kombëtare dhe jo në shërbim të 5% të njerëzve që zotërojnë ekonominë kombëtare. Por sërish ky ishte vetëm një maskim, pasi u shpik “investitori strategjik”, që sërish ndërton një hotel në tokën që merr falas, e bashkë me të edhe qindra vila e apartamente që nuk prodhojnë asgjë për ekonominë kombëtare po i shtohen jetës së luksit.
Nëse ka një gjë të dobishme që duhet bërë në këtë vend, është pikërisht anulimi i këtij ligji, ose së paku ndryshimi dhe ndalimi i përdorimit të bregdetit për rezidenca banimi.
P.S: Në foto është një pjesë e asaj pikës së “voçkël, voçkël fare” që tregonte Ministrja e Turizmit në parlament. Sipërmarrësi, sapo mori lejen, nisi edhe njoftimet për shitjen e vilave dhe apartamenteve.
Lini një Përgjigje