TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Prill 2025, 13:55

10 vjet nga kriza e refugjatëve: Evropa ende s’ka mësuar të bashkëjetojë me humanizmin

Shkruar nga Mohammad bin Abdulkerim Al-Issa

Dhjetë vjet pas krizës që solli miliona refugjatë në brigjet e Evropës, vendet e pasura ende reagojnë me frikë dhe egoizëm ndaj emigrantëve. Në vend të ndjeshmërisë, kemi parë rritjen e ekstremizmit dhe përçarjeve. Ndërkohë që një tjetër krizë po afron për shkak të klimës, është koha që politika evropiane të gjejë kurajën të pranojë përgjegjësinë morale dhe të ndërtojë politika humane përballë emigracionit.

10 vjet nga kriza e refugjatëve: Evropa ende s’ka mësuar të

Dhjetë vjet më parë njerëzit filluan që të mbyten në Mesdhe. Jo në raste sporadike, por shumë të tilla dhe me mijëra. Prilli i 2015-ës, ishte fillimi i asaj që më vonë do ta quanim “kriza e emigrantëve”, kur njerëzit e dëshpëruar nga i gjithë Jugu Global lanë luftën dhe varfërinë dhe morën rrugën drejt Evropë për një jetë më të sigurt. Në ditët e para të krizës, u duk sikur bota po solidarizohej me ta. Udhëheqësit evropianë mbajtën samite dhe u zotuan të jepnin miliona euro për misionet e shpëtimit.

Në Gjermani, kancelarja e atëhershme Angela Merkel deklaroi: “Refugjatët janë të mirëpritur!”. Natyrisht, tani e dimë se optimizmi ishte i gabuar. Sepse e dimë si përfundoi historia. Refugjatët nuk ishin të mirëpritur. Në 2016-ën, viti i parë i plotë i krizës së emigrantëve, në Evropë mbërritën 389.877 emigrantë. Në vitin 2023, ishin 292.985.

Dhjetë vjet që nga fillimi i krizës, njerëzit po ikin ende nga lufta, dhuna dhe varfëria, duke vdekur rrugës. Në vitin 2016, 5.305 emigrantë u regjistruan si të vdekur ose të zhdukur.

Në vitin 2023, kjo shifër ishte 4.124. Kur iu drejtova me një fjalim Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork muajin e kaluar në rolin tim si Sekretar i Përgjithshëm i Ligës Botërore Myslimane, po flisja për botën myslimane prej nga vijnë kaq shumë prej këtyre refugjatëve. Dhe theksova një argument që e kam mbajtur dhe e kam ndarë prej kohësh: që migrimi nuk është krizë; se është kriza, ajo që i detyron njerëzit të migrojnë. Megjithatë, njohja dhe pranimi i këtij fakti është vetëm hapi i parë.

Nëse e kuptojmë vërtet, se kriza ka të bëjë me vuajtjet dhe dëshpërimin njerëzor, duhet të pranojmë gjithashtu se kriza e emigrantëve nuk mund të shihet vetëm në aspektin e të dhënave, makroekonomisë dhe politikave. Në qendër të reagimit tonë kolektiv, duhet të jetë edhe dhembshuria dhe ndjenja e përgjegjësisë morale.

Tek e fundit, ngjarjet e vitit 2015, zbuluan se Evropa nuk ishte e pajisur me dhembshurinë e nevojshme për të përballuar goditjet e mëdha si ardhja e miliona njerëzve nga vendet e shkatërruara nga lufta dhe varfëria. Themelet morale të Evropës por edhe të botës, u tronditën pikërisht në kohën kur dhembshuria ishte më urgjente së kurrë. Rezultati?

Gjatë viteve 2015-2020, Evropa përjetoi rritjen më të madhe të partive dhe ideologjive të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sot, ai boshllëk në udhëheqjen morale është më i madh dhe më i zbrazët se në vitin 2015. Si shoqëri globale, ne nuk kemi arritur t’i japim përparësi empatisë si një parim themelor që drejton politikat dhe diskursin publik. E megjithatë, ndjeshmëria është pikërisht ajo që na duhet për të frymëzuar politika kuptimplota dhe veprime konkrete. Kjo detyrë morale, është arsyeja pse unë kam mbrojtur vazhdimisht krijimin e rrugëve më të sigurta të migrimit.

Kjo nuk do të thotë thjesht shpenzim i parave për militarizimin e Mesdheut apo Kanalit Anglez, dhe as ofrimin e subvencioneve të mëdha për vendet e tjera për të ndaluar largimin e emigrantëve. Këto masa, vetëm sa rrisin rreziqet dhe kostot për trafikantët që grabitin njerëzit e dëshpëruar. Për sa kohë që njerëzit janë të dëshpëruar, ata do të largohen, dhe për sa kohë që largohen edhe mund të vdesin rrugës. Një pjesë e detyrës së udhëheqësve, është të trajtojnë në vendet e tyre shkakun e paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike.

Për këtë arsye, Lidhja Botërore Myslimane, ka prioritet mbështetjen e stabilitetit në të gjithë botën islame, veçanërisht përmes iniciativave që fuqizojnë gratë dhe vajzat në jetën publike. Kohët e fundit, ne mblodhëm në një takim liderët politikë, autoritetet fetare dhe grupet e shoqërisë civile në Pakistan për të pohuar legjitimitetin fetar dhe domosdoshmërinë e arsimimit të vajzave.

Përpjekje të tilla, mund të duken indirekte ose të largëta nga çështja e menjëhershme e migrimit masiv, por ato janë thelbësore: ndërtimi i shoqërive të qëndrueshme dhe elastike është jetik, nëse shpresojmë që të adresojmë shkaqet rrënjësore që i detyrojnë njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kjo është edhe arsyeja, pse unë besoj se OJQ-të e udhëhequra nga parimet morale, duhet të luajnë një rol vendimtar në plotësimin e boshllëqeve të lëna nga qeveritë. Megjithatë, ne duhet të përqafojmë edhe potencialin transformues të vetë migracionit, duke pranuar se emigrantët kontribuojnë ndjeshëm në shoqëritë e tyre të reja.

Pavarësisht retorikës nga shumëkush në Evropë, migrimi ka qenë i dobishëm si për kontinentin ashtu edhe për botën. Më shumë se 10.000 refugjatë që mbërritën në Gjermani në vitin 2015, tani janë mjaftueshëm të aftë në gjermanisht për të ndjekur universitetin. Më shumë se gjysma e atyre që mbërritën, janë tani të punësuar dhe kontribuojnë me pagimin e taksave. Ndërsa shohim nga e ardhmja, është e qartë se migrimi ka të ngjarë të intensifikohet, i nxitur gjithnjë e më shumë nga ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Ndryshimet klimatike janë gati të detyrojnë miliona të lëvizin nga Jugu Global - ku ndikimet do të jenë më të mëdha - në Veri në vitet e ardhshme. A jemi moralisht dhe praktikisht të përgatitur për këtë valë të radhës? Mjerisht, përgjigjja është ende jo. Nëse nuk hedhim themelet e përbashkëta morale dhe ndjenjën kolektive të dhembshurisë dhe humanizmit për t'u përballur me kriza të tilla që shtrihen pak përtej horizontit, rrezikojmë të jetojmë në shoqëri të ndërtuara mbi urrejtjen dhe frikën. Dhe si mund ta bëjmë këtë? Duke filluar nga gjërat më të vogla.

Ndjeshmëria dhe lidhja me tjetrin, fillon në shtëpi, me akte të vogla dashamirësie, bujarie dhe mikpritjeje në komunitetet tona. Kjo mund të duket e paqartë dhe e paprekshme për disa. Por këto janë ‘blloqet ndërtuese’, që krijojnë shoqëri të dhembshura, të cilat e vlerësojnë humanizmin tek të tjerët.

Nga organizimi i ngjarjeve lokale që mirëpresin refugjatët deri tek lobimi për politika që kanë prioritet sigurinë dhe dinjitetin, çdo veprim i vogël ka rëndësinë e tij. Dhe ndikimi i tyre i shtuar në komunitete të panumërta, mund të jetë i pallogaritshëm në ndryshimin e shoqërive tona në thelbin e tyre. Dhjetë vjet më vonë nga ajo krizë, ne duhet të përgatitemi me themel dhe ta bëjmë humanizmin si trashëgiminë tonë, dhe jo mijëra të tjerë të vdekur në brigjet e Evropës./Pamfleti nga ”The Independent”

Shënim: Mohammad bin Abdulkerim Al-Issa, është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Botërore Myslimane

evropa refugjatët humanizmi kriza

Lini një Përgjigje