Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë më hegjemonia e pakontestueshme globale. Megjithatë, ajo mund të mbetet një fuqi globale e pashoqe, nëse ndjek strategjinë e duhur realiste...
A ka një strategji të madhe, prapa të gjitha lëvizjeve dramatike në afro 100 ditët e presidentit Trump në mandatin e tij të dytë? Pavarësisht paraqitjeve, dhe asaj që argumentojnë shumë ekspertë të politikës së jashtme, përgjigja është po. Nëse Doktrina Trump do të jetë e suksesshme, kjo mbetet për t’u parë.
Megjithatë, parimet e tij janë të arsyeshme dhe bazohen në traditën e mirëfilltë realiste të politikës së jashtme amerikane të ilustruar nga Alexander Hamilton, Theodore Roosevelt dhe Richard Nixon. Strategjia e madhe e administratës Trump mbështetet mbi 3 parime realiste kryesore.
Së pari nga një sistem ndërkombëtar i dominuar nga konkurrenca midis fuqive të mëdha, së dyti një politikë e jashtme e bazuar tek interesat kombëtare të realpolitikës (ose ajo që ata e quajnë “Amerika e Para”) dhe së treti nga një vlerësim më i madh për gjeoekonominë dhe rolin e fuqisë financiare në politikën globale.
Pas një periudhe të shkurtër (epoka e pas Luftës së Ftohtë) e miqësisë dhe e niveleve të ulëta të tensionit midis fuqive të mëdha, tashmë është e qartë se jemi sërish në një epokë të re ku mendimi dhe sjellja realiste po dominojnë politikën botërore, nga konkurrenca ushtarake tek marrëdhëniet tregtare dhe përparimet teknologjike.
Gjatë dekadës së fundit, janë shfaqur dy tendenca gjeopolitike. Së pari, Kina po synon të arrijë hegjemoninë rajonale dhe në fund globale. Së dyti, pushtimi rus i Ukrainës, po e destabilizon sigurinë evropiane dhe ekonominë globale.
Që kur presidenti Xi Jinping erdhi në pushtet në vitin 2013, ka qenë më i dukshëm synimi i Pekinit për ta larguar SHBA-në nga roli i saj si garantuesja kryesore e sigurisë në Azinë Lindore. Siç u shpreh Xi në vitin 2014: “U takon aziatikëve të drejtojnë punët e Azisë, të zgjidhin problemet e saj dhe të mbështesin sigurinë e kontinentit”.
Ndërkohë, ai vazhdon të përsërisë nevojën që ka Kina për të rivendosur kontrollin mbi ato që i konsideron territoret e veta, përfshirë Hong Kongun, Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore. Duke folur në 110-vjetorin e Revolucionit të Kinës në vitin 2021, Xi deklaroi se “detyra historike e ribashkimit të plotë të atdheut, duhet të përmbushet, dhe do të përmbushet patjetër”.
Ndërkohë, marrëdhëniet diplomatike SHBA-Rusi arritën pikën e tyre më të ulët që nga momentet më të këqija të Luftës së Ftohtë, kur Pentagoni u angazhua në një luftë me prokurë kundër forcave ruse në Ukrainë, teksa Uashingtoni vendosi sanksione të mëdha ndaj ekonomisë ruse.
Për më tepër, dy rivalet e Amerikës janë afruar gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën. Në përgjithësi, çdo vend në pozicionin që mban aktualisht SHBA-ja - fuqia e vetme e madhe pa rivalë strategjikë në rajonin e vet - duhet të fokusohet në ruajtjen e kësaj statuskuoje të favorshme për aq kohë sa të jetë e mundur.
Ajo e bën zakonisht, duke e ruajtur kontrollin e saj rajonal dhe parandaluar që një fuqi tjetër e madhe të bëhet një hegjemon rajonal në rajonet kryesore strategjike të botës: Azinë Lindore, Evropë dhe Lindjen e Mesme. Në mjedisin e sotëm, vetëm Kina ka aftësinë të bëhet një hegjemon rajonal. Rusia dhe Irani, por edhe pretendentëve të tjerë u mungojnë mjetet, pasi rrethohen nga fqinjët më të pasur.
Prandaj, fokusi kryesor i administratës Trump në qëllimet e saj dyfishta të rivendosjes së dominimit të SHBA-së në Hemisferën Perëndimore nga njëra anë, dhe frenimit të rritjes së Kinës nga ana tjetër, përfaqësojnë prioritetet e sakta kryesore që mund të priten nga një doktrinë realiste.
Po ashtu, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të negociuar një marrëveshje bërthamore me Iranin, janë strategji koherente që synojnë reduktimin e angazhimeve të SHBA-së nga dy zona që kanë tashmë një rëndësie dytësore: Evropa dhe Lindja e Mesme.
Për t’i arritur këto objektiva strategjike, administrata po ndjek një parim të dytë të realizmit: realpolitikën. Sipas shtetarit realist anglez të shekullit XIX, Lordit Palmerston: S’ka aleatë të përjetshëm dhe ne nuk kemi armiq të përhershëm... Vetëm interesat tona janë të përjetshme dhe të përhershme”.
Kur zëvendëspresidenti J.D.Vance apo Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kritikojnë NATO-n
dhe aleatët e Evropës Perëndimore, ekipi i Trump është thjesht duke ndjekur këtë parim. Ai po e riorienton diplomacinë dhe aleancat amerikane larg partneriteteve të vjetra në favor të partneriteteve të reja.
Është një qasje e arsyeshme që Shtetet e Bashkuara t’i kushtojnë vëmendje Grenlandës dhe Panamasë, që të përforcojnë kontrollin e saj gjeopolitik të Hemisferës Perëndimore, si dhe të fokusohen në zvogëlimin e angazhimeve të aleancës në skenat dytësore, në mënyrë që t'i forcojnë ato në rajonin e Azisë-Paqësorit dhe të frenojnë synimin e Kinës për hegjemoni.
Ndërsa partneritetet e vjetra po e humbin rëndësinë e tyre, është po aq e rëndësishme të krijohen të reja, dhe asnjë sfidë gjeopolitike nuk është më e mprehtë për Shtetet e Bashkuara sesa prishja e aleancës në zhvillim midis fuqisë së dytë dhe të tretë më të madhe në botë.
Në vend se t’i trajtojmë si një kërcënim i përbashkët ideologjik, qasja më e mirë për ta prishur aleancën në zhvillim ruso-kineze, është të miratohet një strategji realiste kisingeriane e afrimit me Moskën, partnerja më e dobët, dhe të krijohet një pykë strategjike mes tyre.
Hapi i parë dhe më urgjent në parandalimin e forcimit të aksit Moskë-Pekin, është arritja e një zgjidhjeje të qëndrueshme diplomatike për krizën e Ukrainës, që do të sillte përmirësimin e raporteve Uashington-Moskë. Në terma afatgjatë, Uashingtoni duhet t’u ofrojë liderëve të Rusisë garanci të mjaftueshme sigurie që të sigurohet sfera e tyre e ndikimit në Evropën Lindore.
Së dyti, ndërsa sistemi kalon nga unipolariteti në multipolaritet, natyra e rendit botëror do të jetë e diskutueshme, realiste dhe nuk mund të jetë më liberale, siç ndodhi nën hegjemoninë amerikane në epokën unipolare. Ndaj Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ishte i saktë kur e quajti rendin botëror liberal “një iluzion të rrezikshëm”, dhe bëri thirrje për një politikë të jashtme që i shërben interesit kombëtar.
Shtylla e tretë, por ndoshta më e rëndësishme jetike e strategjisë së madhe të Trump, ka të bëjë me një qasje realiste në sferën e politikës ekonomike dhe teknologjike, për t’iu kundërvënë luftës ekonomike dhe tekno-nacionalizmit të Kinës që e lejoi atë të arrijë apo edhe të kapërcejë vendet perëndimore në këto dimensione të fuqisë globale.
Në këtë kuadër, tarifat duhet të konsiderohen kryesisht si një armë ekonomike kundër Kinës, e cila mund të çojë përpara interesat gjeoekonomike të Amerikës dhe të dekurajojë kompanitë amerikane dhe perëndimore nga investimi në Kinë. Shtetet e Bashkuara dhe Kina, janë të përfshira në një konfrontim gjeopolitik të ngjashëm me një luftë të ftohtë, jo thjesht në një “konkurrencë”.
Prandaj, qasja realiste kërkon që administrata Trump të kalojë në një shkëputje ekonomike graduale por të qëllimshme dhe të qëndrueshme nga Kina. Për të fituar luftën e re teknologjike kundër Kinës dhe për të ruajtur pozicionin e saj aktual gjeopolitik, SHBA duhet të përshtatë qasjen e saj ndaj inovacionit dhe prodhimit vendas, financimit të shkencës dhe teknologjisë, kontrollet e eksportit, promovimin e standardeve teknike ndërkombëtare dhe investimeve në infrastrukturë, që ta pengojë Pekinin të dominojë teknologjitë kryesore të së ardhmes.
SHBA-ja nuk mund të rikthehet tek hegjemonia e pakontestueshme globale që gëzonte gjatë viteve 1990. Por ajo mund të mbetet një fuqi e madhe globale për dekadat e ardhshme nëse udhëheqësit e saj ndjekin strategjinë e duhur realiste. Doktrina Trump, i ka të gjitha shenjat dalluese të një qasjeje të tillë. Tani i takon administratës ta zbatojë atë pa shpërqendrime të panevojshme.
Shënim: Ionut Popescu, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Teksasit.
Lini një Përgjigje